Shiroka-Pula: Do të angazhohem për faktorizimin e gruas

Kosova

Shiroka-Pula: Do të angazhohem për faktorizimin e gruas

Më: 23 maj 2015 Në ora: 09:53

Kryetarja e re e Gruas Demokratike të Kosovës (GDK), Justina Shiroka-Pula, është zotuar se do ta fuqizojë këtë forum të PDK-së dhe do ta faktorizojë femrën në përgjithësi.

Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të GDK-së, në këtë intervistë për “Epokën e re” ajo ka treguar se ka projekte konkrete për ta faktorizuar femrën edhe në nivele lokale.

“Mendojmë ta bëjmë një platformë dhe një strategji me disa politika zhvillimore rreth projekteve konkrete në resorë të ndryshëm. Kjo nënkupton që t’i pozicionojmë gratë dhe t’i faktorizojmë ato, jo si gra, por si profesionaliste që meritojnë të pozicionohen në vende të rëndësishme”, ka thënë Shiroka-Pula.

Ish-ministrja e Energjisë dhe Minierave ka treguar se faktorizimi i femrës nuk bëhet vetëm duke respektuar kuotën gjinore, por duke i pozicionuar femrat në poste vendimmarrëse. “Derisa gratë nuk janë në pozita vendimmarrëse, mendoj se shoqëria shqiptare nuk mund të jetë demokratike dhe nuk mund të ecë përpara”, është shprehur ajo.

Shiroka-Pula nuk është shprehur e kënaqur me përfaqësimin e femrës në Qeverinë aktuale. Ajo ka thënë se kabineti aktual mund ta përmirësojë këtë gabim, duke vendosur më shumë femra në pozitën e zëvendësministrave.

“Përfaqësimi i grave në Qeveri nuk është i kënaqur. Mendoj se do të kem hapësirë që Qeveria ta përmirësojë këtë mangësi, duke i pozicionuar gratë si zëvendësministre, në borde të ndryshme apo në pozita të tjera vendimmarrëse. Pra, përfaqësimi i femrës në Qeveri është shumë i vogël dhe kjo është ndoshta një prej mangësive të para që e ka kjo Qeveri”, ka thënë ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat