Osmani: Si kryetare do ta tërheq LDK'në nga koalicioni me PDK'në

Kosova

Osmani: Si kryetare do ta tërheq LDK'në nga koalicioni me PDK'në

Më: 23 maj 2015 Në ora: 00:41

Deputetja më e votuar e Kosovës ka vendosur ta sfidojë veten sërish. Vjosa Osmani ka vendosur të provojë të marrë lidershipin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Osmani e ka shpallur kandidaturën e saj duke shpalosur platformën në emisionin Interaktiv në KTV.
“Tashmë janë deleguar 355 delegatë për Kuvendin Zgjedhor të 31 majit. Duke marrë besimin të jem një prej këtyre delegatëve, duke e parë disponimin e anëtarësisë që më ka kërkuar të marrë përgjegjësi, kam vendosur të garoj zyrtarisht për kryetare të LDK-së”, ka thënë Osmani.

Platforma me të cilën ajo synon të mundë Mustafën përmban 10 pika dhe ka të bëjë me gjithëpërfshirjen, premtimin për luftimin e krimit të organizuar në Kosovë si dhe kthimin e LDK-së si forca e parë politike në vend.

“Synimi kryesor është që LDK të kthehet sërish si partia më e madhe në Kosovë. Kjo nuk bëhet duke qenë në koalicion me PDK-në, nuk bëhet duke e votuar Hashim Thaçin për president, sepse kjo nuk i bën nder Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ajo ka premtuar se nëse bëhet kryetare e LDK-së do të tërheqë partinë e saj nga koalicioni me PDK-në, menjëherë pas votimit të Gjykatës Speciale.

Osmani gjithashtu ka premtuar ndërrimin e statutit të partisë për të pasur mundësinë e “një anëtar – një votë”, në mënyrë që të gjithë anëtarët të kenë të drejtën e marrjes së vendimit.

Gjithashtu, ka propozuar që me statut të rregullohet marrja e përgjegjësisë, që do të thoshte largimin nga drejtimi i partisë nëse ajo i humbë zgjedhjet e përgjithshme, përcjell koha.net. Osmani tha se shpreson që këto ditë të mos ketë ndikime dhe presione dhe që vota e fshehtë më 31 maj të respektohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat