Vullnetmirët kërkojnë të ndërrohet qasja karshi mjedisit

Kosova

Vullnetmirët kërkojnë të ndërrohet qasja karshi mjedisit

Më: 22 maj 2015 Në ora: 19:42

Nuk mjafton vetëm 22 maji që të mobilizohen qytetarët dhe të pastrojnë atë që e krijojnë gjatë një viti.

Deponi ilegale, mbeturina vend e pa vend, ujë të ndotur, trotuare e hapësira të gjelbëruara të mbushur me mbeturina u gjetën sot në çdo cep të Kosovës. Verifikimi i kësaj gjendje kishte nisur qysh para ca kohe nga vullnetarët e iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Sot, ata së bashku me institucionet dhe qytetarët që ia arritën t’i mobilizojnë u munduan që sadopak vendit dhe hapësirave të mbuluar nga mbeturinat t’ia kthejnë gjendjen e duhur.

Aksioni i iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën” nisi në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, po në të njëjtën kohë aksioni nisi edhe në mbarë Kosovën.

Në fillim të këtij aksioni drejtuesit e iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën” kërkuan që që të ruhet Kosova, dhe shprehen pakënaqësitë e tyre duke kërkuar që të ndryshohet qasja karshi mjedisit.

Luan Hasanaj, drejtues i iniciativës kërkoi bashkëveprim të të gjithë akterëve që të arrihet ky ndryshim.

“Presim mbi 50 mijë vullnetarë që ti bashkohen këtij aksioni dhe shpresojmë dhe njëkohësisht shprehim edhe një lloj pakënaqësie tonën që përfundimisht duhet ta ndërrojmë qasjen karshi mjedisit. Pavarësisht, qytetarët e Kosovës e në radhë të dytë edhe si institucione. Duhet të bashkëveprojmë, shoqëria civile dhe institucionet dhe përfundimisht mjedisi jonë të duket ashtu si i ka hije. E kemi një Kosovë shumë të bukur dhe duhet që secili prej nesh të kujdeset për të”, tha Hasanaj.

Për të nisur këtë aksion në lagjen Arbëria të Prishtinës kishte dalë edhe ministri i Mjedisit, Ferid Agani.

Ministri u pajtua se Kosova është e ndotur dhe kërkoi që mjedisi të ruhet ashtu si qytetarët e ruajnë në shtëpitë e tyre.

“Është një thënie se mjedisi është pasqyra jonë, unë jam thell i bindur se fytyra jonë nuk është kjo që po e shohim përreth dhe përfundimisht duhet bërë atë që e bëjmë qdonjëri në mjedisin ku jetojmë me familjet tona dhe ta ruajmë mjedisin ashtu si i ruajmë shtëpinë tonë. Kjo sot që po e shohim është një dëshmi e fuqisë së qytetarisë së Kosovës, rinisë së Kosovës dhe kjo më bënë shumë optimistë që në periudhën e ardhshme kjo të jetë vetëm dita e parë e këtij aksioni që ta pastrojmë Kosovën në mënyrë më të bukur dhe ta kemi shtetin tonë ashtu siç jemi vetë dhe siç i kemi familjet tona”, tha Agani.

Mbështetje këtij aksioni i dhanë edhe trupat e Forcave të Sigurisë së Kosovës të cilët nuk kursyen makinerinë e tyre për mbeturinat e rënda.

E komuna e Prishtinës ishte tjetër institucion që kontribuoi në këtë çështje. Xhelal Sveqla, kryeinspektor dhe Liburn Aliu drejtor i Urbanizmit ishin dy zyrtarët e kësaj komune që sot edhe fizikisht e mbështetën aksionin.

Sveqla, tregoi se në komunën e Prishtinës sot nisi aksioni në mënyrë të organizuar në tetë lokacione dhe u zotua se pastrimi i qytetit nuk do ndalet vetëm në ditët e sotme.

“Aksion i ngjashëm do të organizohet edhe gjatë ditëve në vijim, ashtu siç është edhe zotim i administratës së Komunës së Prishtinës, do të pastrohet i tërë qyteti. Njëkohësisht, jemi duke e ndërtuar sistem që të parandalojmë ndotjet e mëtutjeshme, si p.sh çdo lokacion që pastrohet ai revitalizohet duke u shndërruar në park, kënd i lojërave apo ndonjë destinacion tjetër që është në interes publik. Njëkohësisht, jemi i ndjekur të gjithë keqbërësit ndaj të cilëve shqiptohen dënime sipas ligjeve në fuqi”, tha me këtë rast drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Xhelal Sveçla.

Ftesës për ta pastruar kryeqytetin i janë përgjigjur pozitivisht një numër i madh i banorëve të Komunës së Prishtinës. Gjithashtu, këtyre aktiviteteve u janë bashkëngjitur qindra vullnetarë nga institucione, OJQ dhe kompani të ndryshme.

Aksione të organizuara të pastrimit u bënë në lagjen “Arbëria 3” (afër hekurudhës, në rrugën 1 Tetori (dëshmorët e Marecit), në Qendrën e Panaireve në Shkabaj, në Lagjen “Kalabria” (ish lagjja Emshir), në rrugën “B”,( te stacioni 4, në lagjen “Bregu i Diellit”), liqeni i Badovcit, si dhe është pastruar hapësira afër “Termokosit”.

Njëkohësisht, në shumicën e shkollave fillore të Prishtinës kishte aktivitete të pastrimit nga nxënësit e shkollave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat