Agani i bashkohet aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”

Kosova

Agani i bashkohet aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”

Më: 22 maj 2015 Në ora: 19:13

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, së bashku me përfaqësues dhe vullnetarë të iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën”, ka marrë pjesë në hapje të aksionit, sot në mëngjes, në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, si dhe në aktivitete të tjera të mbajtura gjatë ditës.

Në hapje të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, së bashku me komandantin e FSK-së, Rrahman Rama, pjesëtarë të FSK-së, nxënës të shkollave fillore të Prishtinës, si dhe vullnetarë e qytetarët të tjerë, ministri Agani deklaroi se mjedisi është pasqyra jonë, prandaj bëri thirrje që t’i kushtohet vëmendje ruajtjes së tij.

“Unë jam i bindur që fytyra jonë nuk është kjo që po e shohim përreth. Prandaj, përfundimisht duhet bërë atë që e bën çdo njeri në mjedisin ku jeton. Kjo sot që po e shohim është një dëshmi e fuqisë së qytetarisë së Kosovës, e rinisë së Kosovës dhe kjo më bënë shumë optimist që në ditët e ardhshme do ta kemi shtetin tonë ashtu siç jemi vetë”, u shpreh kreu i MMPH-së.

Edhe komandantit i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), Rrahman Rama, përshëndeti këtë aktivitet tashmë tradicional, i cili ndihmon sadopak në pastrimin e mjedisit.

Koordinatori i Iniciativës“Ta pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj, tha se vetëm në këtë aksion, këtu në Prishtinë, po marrin pjesë mbi 500 fëmijë së bashku me pjesëtarë të FSK-së.

Më pas, ministri Agani ka shikuar nga afër aksionin për pastrimin e një deponie të egër në fshatin Arllat të komunës së Drenasit, së bashku me kryetarin e Komunës, Nexhat Demaku, dhe drejtorin e Ndërmarrjes “NewCo Ferronikeli”, e cila kontribuoi me makineri të rëndë.

Ministri Agani falënderoi kryetarin e Komunës për gjithë mbështetjen institucionale, e po ashtu edhe kompaninë “Ferronikeli” e cila me këtë angazhim po e dëshmon që ka përkushtim për mbrojtjen e mjedisit dhe në këtë mënyrë po jep kontribut të drejtpërdrejtë dhe po jep shembull konkret se janë të përkushtuar për mbrojtjen e mjedisit.

“Ky partneritet institucional i të gjitha niveleve duhet të vazhdojë në mënyrë sistematike”, tha Agani.

Pas aksionit në deponinë ilegale të mbeturinave në Arllat, ministri Agani ishte pjesë e aksionit edhe në Vërmicë, ku aty së bashku me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozin, përcuan porosinë tek institucionet kosovare, por edhe ato shqiptare, për pastrimin, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e liqenit të Fierzës, ngase u vlerësua se ky liqen i takon të dyja vendeve.

Agani së bashku me Minxhozin u dakorduan që një pastrim më gjithëpërfshirës i liqenit të Fierzës në të dyja anët e kufirit të realizohet më 5 qershor, kur edhe shënohet Dita Botërore e Planetit.

Këtë ide e mirëpriti edhe iniciativa “Ta pastrojmë Kosovën”, por edhe shoqëria civile, të cilët u zotuan se aksione të tilla në të ardhmen do të ndodhin edhe më shpesh, ngase u vlerësua se ndotja e mjedisit paraqet rrezik për jetën e qytetarëve, pro edhe të botës bimore dhe shtazore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat