Zhbllokohen punimet në Shalë të Bajgorës

Kosova

Zhbllokohen punimet në Shalë të Bajgorës

Më: 22 maj 2015 Në ora: 19:07

Pas bisedës që kanë pasur të premten me zëvendësministrin e Ministrisë së Infrastrukturës, Hanefi Muharremi dhe kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe pas aprovimit të kërkesave të tyre, banorët e Bajgorës dhe Barës, janë dakorduar që punimet e bllokuara për disa ditë për meremetimin e rrugës magjistrale që lidhë Mitrovicën me Podujevën, në segmentin e saj në Bajgorë, të zhbllokohen.

Në bisedën e zhvilluar në Bajgorë, përfaqësuesi i banorëve të fshatrave të Shalës së Bajgorës, Rafet Ibishi, njoftoi zëvendësministrin dhe kryetarin e Mitrovicës, se shkaqet që kanë bllokuar punimet është se meremetimi i rrugës ka filluar në segmentin ku ka më pak nevojë, ndërsa janë lënë anash segmente të rrugës shumë më të dëmtuara dhe që po u sjellin telashe qytetarëve gjatë udhëtimit të tyre.

“Rruga ka filluar të meremetohet aty ku ka qenë relativisht e mirë. Nuk ka filluar aty ku ne kemi sugjeruar dhe ku rruga vërtetë është e dëmtuar. Ne kërkojmë urgjentisht që të fillohet me meremetimin e rrugës aty ku ne propozojmë dhe pastaj të vazhdoj në drejtim të Mitrovicës për aq sa ka mjete, por meremetimi dhe punimet të kenë cilësinë e duhur. Po ashtu propozojmë që mirëmbajtja e kësaj rruge të jetë në nivel, si gjatë periodës së dimrit, ashtu edhe gjatë periodës së verës”, ka thënë Ibishi.

Ndërkaq, zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Hanefi Muharremi, pasi dëgjoi fjalët e banorëve të këtij rajoni, tha se problemi nuk qenka aq i komplikuar sa ka menduar dhe se i mirëkupton shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

“Duke pasur parasysh gjendjen në këtë rrugë, Ministria nga fondi për mirëmbajtjen e rrugëve ka ndarë 300 mijë euro për meremetimin e kësaj rruge. Ne planifikojmë që me rishikimin e buxhetit për këtë vit të ndajmë edhe mjete të tjera, ndërsa që tërë rrugën shpresojmë ta shtresojmë me asfalt deri në fund të vitit 2016. Mendoj se nuk është problem që punimet të bëhen në segmentin e rrugës ku ju mendoni se është më i dëmtuar. Do të bisedojmë për këtë me punëkryesin dhe menaxherët e rrugës. Do të kemi parasysh edhe kërkesën tuaj për mirëmbajtje të rrugës gjatë sezonit dimëror”, theksoi Muharremi.

Në anën tjetër, kryetari Agim Bahtiri, tha se mbështetë kërkesat e banorëve për të meremetuar rrugën aty ku është më e dëmtuar dhe që punimet të bëhen në mënyrë cilësore.

“Një nga rajonet më të bukura të vendit, pra ky i Shalës së Bajgorës në komunën tonë, fatkeqësisht është lënë pas dore që prej pas lufte e këndej. Banorët e këtij rajoni, që kryesisht janë minatorë të Trepçës kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha proceset për të mirën e kombit dhe zhvillimin e vendit. Me programin tim të zhvillimit, këtij rajoni i është dhënë prioritet. Kërkoj nga Ministria e Infrastrukturës që edhe ajo t’i jep prioritet me rastin e investimeve në ndërtimin e rrugëve”, tha kryetari Bahtiri.

Ai, pasi falënderoi Ministrinë e Infrastrukturës për ndarjen e mjeteve për meremetim të rrugës në këtë fazë, kërkoi nga zëvendës ministri Muharremi, që me rishikimin e buxhetit të këtij viti, të ndajë edhe mjete të tjera për riasfaltimin e tërë këtij segmenti rrugor./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat