Kusari Lila përgatit kallëzim penal ndaj Pal Lekajt

Kosova

Kusari Lila përgatit kallëzim penal ndaj Pal Lekajt

Më: 22 maj 2015 Në ora: 17:28

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka konfirmuar se po përgatit një kallëzim penal ndaj ish-kryetarit të kësaj komune, Pal Lekaj, dhe disa zyrtarëve të qeverisjes së kaluar për maashtrim të qytetarëve.

Në emisionin “Zyra e Ankesave” në Radio “Dukagjini”, kryetarja e Gjakovës ka prezantuar detaje të një veprimtarie të ish-qeverisjes gjatë fushatës elektorale, që Lila e ka quajtur “skemë e mashtrimit”.

Në dosjen që e ka siguruar radio, autoritetet përgjegjëse të Komunës, në periudhën 2009-2013, kishin kontraktuar kompani për shtrimin e rrugëve, vetëm me paratë që kishte participuar komuniteti, pa përmbushur obligimet e veta që dalin nga marrëveshja.

Me ligjin për prokurimin publik, ndalohet nënshkrimi i çdo kontrate pa mjetet e zotuara dhe të planifikuara, nëse projekti përfshinë periudhën kohore më shumë se një vit.

Në gjashtë kontratat e nënshkruara në periudha të ndryshme të këtij 4-vjeçari, me kompani të ndryshme, shuma totale arrin në 1 milion e 615 mijë e 568 euro.

Qytetarët kanë participuar me 89,650 euro, para që janë derdhur në llogarinë e Komunës, ndërkaq autoritetet komunale është dashur ta kryejnë detyrimin prej 1 milionë e 525 mijë e 918 euro gjë që e ka bërë të pamundur realizimin e punëve.

Për më shumë, ish qeverisja nuk i ka planifikuar të një milion eurot për të cilat kishte hyrë në marrëdhënie kontraktuale me qytetarët as për vitin pasardhës.

“Pos që nuk ka pasur mjete për vitin kur i kanë nisur punimet, punime që i kanë nisur vetëm me para të qytetarëve, asnjë prej projekteve, asnjë nga to nuk kanë qenë të planifikuara as për vitin 2013 dhje as për vitin 2014. Kjo paraqet bazë të mjaftueshme për kallezim penal”, ka thënë Kusa-Lila.

Radio ka provuar që të marrë qëndrimin edhe të ish kryetarit të Gjakovës Pal Lekaj, por kontakti me të ka qenë i pamundur. /Radio Dukagjini/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat