​Gjakova aktivizohet për ta pastruar qytetin

Kosova

​Gjakova aktivizohet për ta pastruar qytetin

Më: 22 maj 2015 Në ora: 16:13

Ishte vet e para e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila përvjeli duar dhe iu përvesh punës për ta pastruar qytetin. Asaj iu bashkuan edhe një numër i qytetarëve, nxënësve dhe studentë të kësaj komune.

Krejt kjo në kuadër të iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën”, iniciativë e cila ia ka mësyer që vendin tonë ta bëjë më të pastër.

E para e komunës Mimoza Kusari – Lila, tha se rrugët, trotuaret por edhe deponitë ilegale të mbeturinave janë hapësira të komunës dhe ajo bëri thirrje që të mbahen të pastra.

Ideja e krejt kësaj sipas kryetares, është që të përfshihen sa më shumë institucione duke e parë si të rëndësishme edhe vetëdijesimin e të rinjve dhe nxënësve që në moshë të hershme për pastrimin.

Kusari – Lila: Për ambientin nuk duhet të kujdesemi vetëm një ditë

“Gjithashtu ideja është që të përfshihen sa më tepër institucione e në veçanti shkollat. Për shkak se, që në fëmijëri nxënësit duhet të vetëdijesohen që domosdoshmëria e pastrimit dhe kujdesin e mjedisit është diçka me të cilin duhet ta mbash me vete gjithmonë, por jo në periudha të caktuara”, tha Kusari - Lila.

E para e komunës ka thënë gjithashtu se ata kanë pastruar edhe ditëve tjera, e jo vetëm sot duke premtuar se do vazhdojë edhe më tutje për t’u kujdesur për mjedisin.

Kusari – Lila: Do të vazhdojmë edhe më tutje

“Këtë ditë ne përveç se bëjmë pastrimin në pjesë të qytetit janë edhe në pjesë specifike siç është te liqeni i Radoniqit dhe Kodra e Çabratit. Por, gjithashtu do të vazhdojmë edhe në ditët në vijim. Gjatë kësaj periudhe kohore ne kemi arritur që të bëjmë edhe organizime të cilat janë prezantuar edhe publikisht me shkollat fillore. Në ditët e caktuara kur ka pasur festë edhe në Kodrën e Çabratit, e më pastaj ka vazhduar pastrimi me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Do të vazhdojmë edhe më tutje deri në pikën kur secili e ndjen që mjedisi është përgjegjësi e jona e jo vetëm përgjegjësi e një institucioni që diku duhet të kujdeset për pastrimin e mjedisit”, tha kryetarja Kusari - Lila.

Pranë kryetares dhe qytetarëve ishin edhe vetë organizatorët e këtij aksioni. Eranda Kumnova – Baqi, koordinatore komunale e iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën” tha para mediave se çdo vit po rritjet pjesëmarrja.

Kumnova – Baqi: Po rritet numri i vullnetarëve

“Këtë vit edhe po e shohim që po na bashkëngjiten shumë vullnetarë dhe po shpresojmë në një numër edhe më të madh të vullnetarëve”, tha Kumnova - Baqi.

Për të mbështetur këtë aksion kishte dalë edhe Bashkësia Islame e këtij qyteti, e cila bashkë me disa xhematli siq i quajti përfasqësuesi i kësaj bashkësie Abdurrahman Bejtullahu, thanë se pastërtia është gjysma e besimit.

Bejtullahu: Në këtë vit ka më pak mbeturina

“Në emër të bashkësisë Islame kemi marrë përsipër disa xhematli dhe kemi bërë disa uniforma të vogla dhe ta mbështesim aksionin, i cili është aksion... ditorë. Ne e kemi adithin e pejgamberit islam që thotë se “Pastërtia është gjysma e besimit”. Po mirë ka qenë. Qysh ka qenë vjet dhe si duket popullata është vetëdijesuar bajagi shumë dhe sivjet ka më pak”, tha Bejtullahu.

Aksioni për pastrimin e Kosovës është nisur sot në secilën komunë të Kosovës. Drejtuesit e iniciativës po synojnë që përveç aktivizimit të qytetarëve për ta mbajtur pastër vendin, të bëjnë edhe vetëdijesimin e tyre për pastrim në secilën ditë që jetojmë./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat