Me 29 maj vendoset për Specialen

Kosova

Me 29 maj vendoset për Specialen

Më: 22 maj 2015 Në ora: 14:59

(E plotësuar) Me 29 maj Kuvendi i Kosovës do të votojë amendamentin kushtetues që i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, pas së cilës opozita shprehu kundërshtimin e saj, duke vlerësuar se me këtë gjykatë do të rrënohet sovraniteti i shtetit. Kurse, pozita bëri thirrje për konsensus për të kaluar edhe këtë sfidë me të cilën po ballafaqohet vendi.

Edhe kësaj radhe pozita nuk ka dashur të flas për numrat nëse i ka apo jo, meqë amendamentet kushtetuese duhet të marrin dy të tretat e votave të deputetëve, që i bie 81 vota.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ketë konsensus nacional për themelimin e Gjykatës Speciale, ashtu siç kanë vepruar edhe vitin e kaluar kur kanë miratuar letërkëmbimin mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për themelimin e Gjykatës Speciale.

“Ne jemi në një proces të vazhdueshëm të krijimit të Gjykatës Speciale. Kemi pasur edhe një letër këmbim në mes të autoritetit më të lartë të Republikës së Kosovës-kryetares dhe autoriteteve të Brukselit. Në të njëjtën kohë kemi pasur një votim po në këtë Kuvend , ku me përjashtim të Vetëvendosje! ka pasur një konsensus nacional për të votuar këtë gjykatë. Unë shpresoj se në mënyrë të vazhdueshme do të kemi ruajtje të konsensusit nacional. Domethënia e lirisë dhe pavarësisë lidhet me partneritetin që e kemi pasur me SHBA-të dhe BE-në”, tha Veseli.

Ai shtoi se pretendimet e Dick Martyt, janë duke u shndërruar në pengesë për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

Derisa, bëri me dije se nëse Qeveria e procedon në seancë, do ta fusin në rend dite edhe ligjin për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura, si dhe ligjin që i përkrah financiarisht familjet e tyre personave që do të akuzohen nga Gjykata Speciale.

“Kryesia e Kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare kemi rekomanduar që krahas votimit të amendamenteve kushtetuese të kemi edhe procedimin e disa projektligjeve. Ka pasur një propozim nga AAK-ja që në të njëjtën seancë të votohet ligji për FAK-un. Në të njëjtën kohë do të jetë edhe përkrahja financiare veçanërisht e familjarëve të personave që mund të akuzohen, po ashtu edhe për projektligji për Gjykatën Speciale. Ju e dini se e gjithë kjo varët nga ajo se çfarë na procedon Qeveria e Kosovës”, theksoi ai.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca tha se pika 5 e amendamentit e rrënon sovranitetin, pasi thotë se gjykata ka drejtë të lidh marrëveshje ndërkombëtare pa e pyetur Kuvendin e Kosovës. Sipas Konjufcës, Gjykata Speciale do të merret ekskluzivisht me pjesëtarët e UÇK-së dhe shqiptarët si komb dhe kjo është thellësisht e padrejtë.

“Kjo është skandaloze, nuk mund t’i merret një kompetencë sovrane që e ka Kuvendi i Kosovës në të drejtën e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare t’ia kalojmë thjeshtë një Gjykate. Çka i bie kjo, duhet ta mendojmë më mirë, sepse kjo i bie që një Gjykatë po e vendosim mbi Kuvendin e Kosovës i cili është institucioni më i lartë ligjvënës në Kosovë. Çka i bie kjo, kjo i bie ta përmbysësh arkitekturën shtetërore dhe institucionale të Kosovës. ky është një dëm i pariparueshëm për vendin tonë, për këtë arsye jemi shumë të shqetësuar dhe do ta kundërshtojmë këtë Gjykatë në seancën e 29 majit”, tha Konjufca.

Ndërsa, deputeti i AAK-së Pal Lekaj, tha se themelimi i Gjykatës po vjen si pasojë e paaftësisë së institucioneve të Kosovës.

“Po ashtu krijimi i Gjykatës është ‘sui generis’ për ne. Sepse dihet që kur themelohen këto gjykata. Është gjykata e Nyrmbergut dhe është gjykata në Japoni, kur flitet për gjenocid. Dhe për ne është e papranueshme krijimi i një gjykate themelore dhe këtu shtrojmë pyetjen kush e ka përgjegjësinë për krijimin e kësaj gjykate themelore, kush e solli këtu. Prandaj themi që Qeveria e Kosovës dhe gjitha shtyllat janë treguar të paafta për të ushtruar kompetencat e veta dhe mos aftësia e tyre ka sjell në këtë gjendje Kosovën që të formohet Gjykata Speciale”, tha Lekaj.

Ai theksoi se ende nuk kanë marr vendim për veprimet që do t’i ndërmarrin për ta kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se themelimi i Gjykatës Speciale është shumë sensitive, prandaj duhet të jenë unik në tejkalimin e kësaj sfide që po ballafaqohet shteti i Kosovës.

“Kemi të bëjmë me vlerë kombëtare, kemi të bëjmë me luftën tonë çlirimtare. Absolutisht është e padrejtë të akuzohet dikush nga vendorët ka gisht në themelimin e kësaj gjykate. Duhet të jemi korrekt me vetveten dhe është interes që të kemi interes nacional për të mbrojtur dhe për të dëshmuar të vërtetën. Kjo gjykatë po vjen si rrjedhojë e një raporti të ashtuquajtur Dick Marty, por nuk ka qenë i vetmi Marty që ka përfaqësuar një institucion ndërkombëtarë por kanë qenë edhe deputetë tjerë që kanë marr pjesë në grumbullimin e këtyre të dhënave”, tha Grabovci.

Megjithatë, ai nuk ka dashur të flas nëse kanë votat ose jo dy partitë e koalicionit për ta votuar themelimin e Gjykatës Speciale, meqë duhen dy të tretat e votave të deputetëve, apo 81 vota.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri theksoi se askush nuk mund të ndihet i lumtur që ka ardhur në një situatë kur kanë dy mundësi, të vazhdoj rruga që është hapur në prill të vitit të kaluar kur janë votuar amendamentet kushtetuese apo alternativa tjetër që kjo çështje të shkoj në Këshillin e Sigurimit.

“Në mes Rusisë dhe SHBA-ve, sigurisht që ne jemi me ata që kanë qenë me ne dhe përkrah nesh ...asnjë parti politike nuk do duhej të tentoj të përfitoj kushtimisht diçka politikisht sepse i siguroj asgjë nuk mund të përfitoj. Sepse është e qartë se është një moment jo i lehtë për ne, por megjithatë e kam thënë edhe më herët kemi pasur raste dhe gjykime edhe më herët dhe s’na ka pyet askush, i kanë marr me kokë në thes, por e kanë dëshmuar pafajësinë e tyre”, tha Beqiri.

Kryesia në mbledhjen e sotme vendosi që edhe të enjten me 28 maj të ketë seancë të rregullt, në të cilën do të shqyrtohen dhjetë projektligje, nga të cilët shumica do të jenë për çështjen e liberalizimit të vizave.

Kuvendi mbanë dy seanca plenare gjatë javës së ardhshme

Kuvendi mbanë dy seanca plenare gjatë javës së ardhshme: më 28 maj shqyrtohen projektligje që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa më 29 maj, shqyrtohet propozim-amendamenti nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i propozuar nga qeveria.

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë dy seanca plenare gjatë javës së ardhshme. Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli, si dhe përcaktoi rendin e ditës për këto dy seanca.

Të enjten, më 28 maj, në orën 10:00, Kuvendi do të shqyrtojë në lexim të dytë nëntë projektligje që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave: Projektligjin për Avokatin e Popullit, Projektligjin kundër diskriminimit, Projektligjin për barazi gjinore, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjykatat, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, Projektligjin për përgjimin e telekomunikimeve dhe atë për kompensimin e viktimave të krimit.

Në këtë seancë, do të shqyrtohet në parim edhe Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Të premten, më 29 maj, ndërkaq, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re, gjatë të cilës do të shqyrtojë Propozim-Amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia kërkoi nga qeveria që për seancën e 29 majit, të procedojë në Kuvend Projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Gjykatës Speciale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat