Po mbahet testi i arritshmërisë për klasat e nënta

Kosova

Po mbahet testi i arritshmërisë për klasat e nënta

Më: 22 maj 2015 Në ora: 12:41

Në të gjitha shkollat e vendit sot po mbahet testi i arritshmërisë për nxënësit që kanë përfunduar klasën e nëntë.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë se ky proces ka filluar mirë ashtu siç është paraparë me planin dinamik. Ndërkohë, Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, është duke vizituar disa shkolla të vendit për të parë nga afër këtë proces.

Rreth 34 mijë nxënës që kanë përfunduar klasën e nëntë po i nënshtrohen sot testit të arritshmërisë, i cili ka për qëllim t’u mundësojë të rinjve të orientohen në shkollimin e mëtejshëm. Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, është duke vizituar disa shkolla për të parë nga afër këtë proces. Gjatë vizitës që bëri në shkollën “Eqrem Çabej”, në Vushtrri, ministri Bajrami, tha se ky është një moment i rëndësishëm, pasi nxënësit do të kuptojnë se çfarë drejtimesh do të ndjekin në të ardhmen.

“Ka ardhur koha që ju të orientoni veten në karrierë dhe uroj që përzgjedhja juaj të jetë e drejtë. Ne po kujdesemi që t’iu sigurojmë një arsim cilësor si dhe një treg të punës”, tha Bajrami.

Ministri Bajrami, tha se me anë të këtij teksti do të shihet se ku është sistemi ynë arsimor pas përfundimit të klasës së nëntë.

“Të shohim se si janë programet tona, metodat tona të mësimdhënies, se çfarë mësimdhënësish kemi ne, sepse rezultatin që do ta tregoni është edhe i punës suaj por edhe i mësimdhënësve tuaj”, tha ai.
Testi është duke u mbajtur në 102 qendra të testimit. Nga informacionet që Ministria e Arsimit ka nga terreni, procesi është duke shkuar mirë dhe nuk është raportuar ndonjë parregullsi. Administrimi bëhet nga komunat dhe mbikëqyrja nga zyrtarë të Ministrisë. Testi i arritshmërisë do të zgjasë deri në ora 13:00, ndërsa rezultatet e tij do të publikohen më 1 qershor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat