Çka do të ndodhë sot me Jabllanoviqin ?

Kosova

Çka do të ndodhë sot me Jabllanoviqin ?

Më: 22 maj 2015 Në ora: 08:33

Aleksander Jabllanoviq, ish ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, do të duhej që sot të paraqitet në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, në cilësinë e të pandehurit. Ai ka thënë se nuk do të paraqitet në prokurori, por ende nuk dihet edhe veprimi i Prokurorisë në Gjakovë.

Lënda hetimore kundër Jablanoviçit u ngrit për veprën penale nxitje të urrejtjes nacionale, racore, fetare dhe tolerancës. KosovaPress merr vesh se lëndën për Jabllanoviqin, Prokuroria në Gjakovë e ka dërguar në Prokurorin Speciale në Prishtinë dhe kjo e fundit deri dje në mesditë nuk e ka kthyer në Gjakovë.

Me ta marrë ftesën nga prokurori, që me 22 maj të paraqitet në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, Jabllanoviq ka nxituar t’u drejtohet gazetarëve në veri të Mitrovicës, duke e cilësuar ftesën, veçanërisht aktakuzën, si përpjekje për t’i frikësuar dhe për t’i disiplinuar serbët e Kosovës.

Jabllanoviq ka siguruar, se siç tha ai, “ne që nuk jemi fajtorë për asgjë, pafajësinë edhe nuk duhet që ta dëshmojmë, sidomos jo para Prokurorisë në Gjakovë”.

Ndryshe, Jabllanoviq është shkarkuar nga posti i ministrit për Kthim dhe Komunite, pas protestave të shqiptarëve që ishin organizua në Prishtinë kundër Qeverisë së Kosovës, e me kërkesën që Jabllanoviq të shkarkohet.

Reagimet e politikanëve kosovarë, studentëve dhe shoqërisë civile, si dhe të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, kishin ardhur pas deklaratës së Jabllanoviqit në Zoçishtë të Rahovecit, i cili nënat e civilëve të zhdukur shqiptarë të Gjakovës i kishte quajtur egërsira.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat