Sot aksioni i madh ”Ta pastrojmë Kosovën”

Kosova

Sot aksioni i madh ”Ta pastrojmë Kosovën”

Më: 22 maj 2015 Në ora: 07:45

Sot në tërë Kosovën fillon aksioni i pastrimi të bërllokut të organizuar nga inciativa “Ta pastrojmë Kosovën”, në të cilin synohet pastrimi i 351 deponive të evidentuara.

Aksionit pritet t’i bashkohen edhe shumica e institucioneve qëndrore dhe lokale në Kosovë.
Në kuadër të iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën”, komuna e Prishtinës dhe OJQ “Green Art Center Prishtina” (GAC), kanë marrë përsipër koordinimin e aktiviteteve për ta pastruar kryeqytetin dhe liqenin e Badovcit.

Sipas një njoftimi të komunës së Prishtinës thuhet se këtyre aktiviteteve u janë bashkëngjitur qindra vullnetarë nga institucione, OJQ dhe kompani të ndryshme.

Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”, në Komunën e Prishtinës do të fillojë në deponinë ilegale, e cila ndodhet në lagjen "Arbëria 3", në ora 10:00.

Nisja e 200 nxënësve në mënyrë të organizuar për në lagjen Arbëria 3 do të bëhet në ora 9:30 me autobus nga Sheshi “Zahir Pajaziti”.

Po ashtu, në shumicën e shkollave fillore të Prishtinës do të ketë aktivitete pastrimi nga nxënësit e shkollave.

Ndërkohë dje, Klina i ka paraprirë këtij aksioni, kanë marrë pjesë nxënësit e të gjitha shkollave të Klinës, qytetarë vullnetarë, si dhe punëtorët e komunës.

Në fokus, përveç pastrimit të rrugëve të qytetit dhe hapësirave përreth shkollave, kanë qenë fshatrat Sërrkë, Dush dhe Volljakë.

Edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e përkrah aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”. Në Facebook-un e tij ai e ka postuar një shkrim ku bën thirrje që të pastrohet shteti.

“Nesër Kosova meriton të duket më e pastër, më e rregulluar. Rrugët, trotuaret, deponitë ilegale të mbeturinave, janë hapësira tona. Ato pasqyrojnë kujdesin tonë; kulturën dhe edukatën tonë. Të mos bëjmë asgjë më shumë, veç të pastrojmë ambientet publike, ashtu si e mbajmë shtëpinë tonë. Të organizohemi të gjithë, të përkrahim aksionin “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Ndryshe, iniciativa ta pastrojmë Kosovën ka kohë që ka filluar pastrimin nëpër komuna.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat