Gjykata Speciale mund të votohet nesër?

Kosova

Gjykata Speciale mund të votohet nesër?

Më: 21 maj 2015 Në ora: 21:46

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar për të premten një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, ku do të shqyrtohen amendamentet kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale.

Sipas burimeve brenda Kuvendit të Kosovës anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare do të kenë për herë të parë para vetes propozim-ndryshimet kushtetuese dhe do të vendosin, se kur do të votohen në Kuvend. Për këtë të fundit duhen votat e dy të tretave të deputetëve, transmeton TCH.

Krahas ndryshimeve kushtetuese, Kuvendi duhet të miratojë edhe ligjin për Gjykatën Speciale të krimeve të luftës, për të zyrtarizuar formimin e kësaj gjykate. Por, ligji që është hartuar nga Bashkimi Evropian, ende nuk e ka marrë miratimin e qeverisë, për t’u proceduar më pas në Kuvend.

Mësohet se, krerët më të lartë të shtetit kanë diskutuar për formën e miratimit të amendamenteve kushtetuese dhe ligjit në një seancë të vetme, edhe pse për këtë çështje ka paqartësi procedurale, pasi Kuvendi nuk mund të shqyrtojë një ligj për Gjykatën Speciale, derisa nuk ndryshohet Kushtetuta, që ta lejojë krijimin e saj.

Edhe për këto paqartësi, pritet që Kryesia e Kuvendit të diskutojë në mbledhjen e së premtes.

Edhe Kohavision raporton se për nesër është thirrur me urgjencë mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku pritet të caktohet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit që do të mbahet pasdite.

Burimet i kanë konfirmuar Kohavisionit se në rend të ditës do të jenë amendamentet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Ftesa u është dorëzuar shefave të grupeve parlamentare. Seanca pritet të nisë prej orës 13:00.

Pikërisht për këtë, një delegacion i Kuvendit në krye me kryeparlamentarin Kadri Veseli ka anuluar një vizitë të paraparë për në Shqipëri.

Partitë opozitare vazhdimisht janë deklaruar kundër themelimit të Speciales, derisa pozita, presidentja dhe misionet diplomatike bëjnë thirrje që Kuvendi ta votojë para se një gjë të tillë ta bëjë Këshilli i Sigurimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat