Ushtari i “Cobrave”, tregon si u vra Sali Çekaj dhe ushtarët e tjerë

Kosova

Ushtari i “Cobrave”, tregon si u vra Sali Çekaj dhe ushtarët e tjerë

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 8 maj 2015 Në ora: 10:13

“Deri në afërsi kemi arritur në kolonë për një duke mbajtur distancën në gjendje gatishmërie për luftime, posa jemi ofruar pozicioneve serbe e di se komandant Naseri ka bisedua me Antonin në radiolidhje dhe është kërkua që të kthehemi sa më parë në Rrasë pasi aty zhvilloheshin luftime të ashpra. Menjëherë jemi nisur, mirëpo trashësia e borës ishte në disa pjesë akoma mbi 1 metër. Pasdite kemi arritur te Rrasa me qëllim që ti lajmërohemi Veteranit-Saliut, mirëpo askush nuk dinte ku gjendej ai. Një ushtar i thotë Naserit se është një komandant i ri “Bjeshka”. Naseri ka kërkua me dërgua tek ai, posa kemi arritur tek ai e kuptuam se bëhej fjalë për Fadil Haderxhonajn, derisa Naseri insistonte që ta takoj Saliun. Fadili i kërkonte që ta bëj tërheqjen e një ushtari të rëndësishëm që ishte vrarë gjatë ditës, kurse Saliun e arsyetonte se ka shkuar në Tiranë dhe i kërkojë Naserit se ai duhet me tërheq trupin e ushtarit të vrarë, sipas tij të rëndësishëm. Naseri me një nervozë i tha - pasi po i dallon ushtarët të rëndësishëm dhe të parëndësishëm, unë s’do ta tërheq”, rrëfen Pajaziti.

Ai thekson se, më pas kanë hëngër darkë dhe kanë shkuar për të pushuar, ndërsa në mëngjes Fadili e kishte dërguar një ushtarë që ta thërras Naserin dhe i ka kërkuar që ta bëjë përsëri tërheqjen e ushtarit të vrarë, por Naseri e kishte dhënë tashmë përgjigjen dhe na ndaloj të gjithëve që mos të shkojnë me Fadilin.

“Pastaj, Fadili na ka marr me vete gjoja se po shkojmë në vëzhgim, duke arritur në drejtim të pozicioneve serbe afër nesh bie një predhë serbe dhe plagoset rëndë në pjesën e këmbës Xajë Çelaj. Menjëherë i kemi dhanë ndihmën e parë me qëllim të ndërprerjes së gjakderdhjes dhe e kemi tërhequr deri te rruga e Rrasës së Koshares. Aty ka ardhë një automjet i cili e ka marr për ta dërguar për trajtim në spital, ndërsa ne menjëherë ju jemi kthyer në luftime.

Ne mbrëmje përsëri ne “Cobrat” jemi bë bashkë dhe të nesërmen më datë 21 prill në mëngjes prapë arrin një ushtar për të na njoftuar se ka arritur ushqimi pastaj kemi shkuar. Këtë mëngjes Fadili ndahet me Naserin pak më lartë dhe bisedojnë diçka dukej një bisedë ndryshe, mirëpo Fadili shkoj për një kohë ti vizitoj ushtarët në vijën e parë dhe pas një gjysmë ore u kthye, prapë biseduan me Naserin dhe përnjëherë Naseri kërkoj nga ne që të përgatitemi menjëherë të shkojmë të tërheqim ushtarin e vrarë më 19 prill. Bashkë me ne erdhi dhe Fadili pasi e dinte afërsisht vendin ku gjendej trupi i ushtarit të vrarë”, tregon ushtari.

Sipas tij, ajo ditë ishte me mjegulle të kohëpaskohshme dhe riga shiu duke bërë më të lehtë afrimin deri të trupi i ushtarit të vrarë. “Fati deshi që unë të arrij i pari pranë trupit të vrarë. Unë u vendosa afër tij rreth 10 metra në pozicion luftimi që shokët të afrohen tek trupi i tij, dhe kontaktin e parë me ushtarin e vrarë e kishte Isni Rma, pastaj ka arritur Naseri, Afrimi me Fadilin – Bjeshkën, kurse Arbeni u vendos në pozicion luftimi por në anën e kundër.
Raketa pasi e kthej trupin në shpinë menjëherë ka fillua të qajë dhe ka thënë kuku po Komandant Saliun e paskan vra dhe e përqafonte, dhe aty u kuptua që prapa ushtarit të rëndësishëm qëndronte Komandant Saliu. Pasi që ishim shume afër pozicioneve serbe një nga ushtarët e ka heq qantën e shpinës dhe gjitha gjësendet e Saliut çka janë gjet i ka vendosur në qantë me qëllim që ti dorëzohen familjes, kurse kallashin e Saliut e ka marr Komandant Bjeshka”, vazhdon rrëfimin Pajaziti.

Ai tregon se nga vendi ku ka rënë dëshmorë i kombit Saliu, në krahun e majtë për jelek dhe këmishë e ka kap Naseri dhe në të djathtin Isniu deri sa Pajaziti edhe me tej me shokët bënin sigurinë gjatë tërheqjes.
“Posa kem hyrë në brendinë tonë në zonën e lirë Naseri u kthye me marr snajperin 12.7mm që e gjeti më herët në një nga pozicionet e luftimeve të datës 19 prill 1999, e ne të tjerët vazhduam tërheqjen e trupit të Saliut, madje Raketa e qitke dhe në shpinë trupin e Saliut. Posa kemi arritur te rruga e Rrasës së Koshares me trupin e Saliut përnjëherë Raketa e nxjerr një flamur kombëtar nga gjoksi dhe e mbulon trupin e Saliut me të, në vijën e par u hapë zjarr nga pozicionet tona dhe përnjëherë kanë filluar edhe granatimet serbe mbi pozicionet tona. Ne menduam se serbët kishin kuptuar se është bërë tërheqja e trupit të Saliut andaj kanë filluar ti garantojnë pozitat tona në Rrase deri në Gomure. posa kanë pushuar pak granatimet ka arritur njësia për tërheqjen e të rënëve dhe kanë vazhduar më tej me bartjen e trupit të Saliut për varrezat e Bajram Currit, kurse ne ju kemi kthyer luftimeve në vijën e parë. Gjatë luftimeve përpos që luftoja ballë për ballë me armikun serb kohë pas kohe kërkohej që të kthehem te pozicioni i Topit 75mm në Rrasë të Koshares që gjendej Milaimi me shokë”, tregon ai.
Ai thotë se, më 28 prill është kërkua nga ai që të lajmërohet në bazën komanduese pasi që kishte informacionin që familja e tij një pjesë kishin kaluar në Shqipëri gjegjësisht ishin vendosur në qytetin e Durrësit e për një pjesë të familjes nuk dihej fati i tyre, pasi që i kishin ndaluar forcat serbe.

“Me tregu drejt e kisha një parandjenjë se ka ndodhur diçka e keqe me ta pasi në fytyrat e komandantëve tanë vërehej sikur dinin diçka se me lehtësi pranuan dhe insistuan që të vizitoj unë një pjesë të familjes time që ishin tanimë në Durrës edhe pse e dija se do të ju mungoj shokëve të mi për disa ditë në luftime. Mu më lejuan 5 ditë, por unë në ditën e tretë jam kthyer në front me të kuptuar se 18 anëtarë të familjes time e në mesin e tyre ishte vrarë nga forcat serbe dhe babai im me kushëririn e parë, mosha e te vrarëve ishte nga 14 deri në moshën 60 vjeçare që nga familjarët dëgjova se i kishin ndarë nga familja në fshatin Meje, komuna e Gjakovës dhe i kanë pushkatuar posa janë ndarë nga ta. Gjaku më vlonte dhe vendosa që menjëherë ti kthehem luftimeve në Koshare. Me tu kthyer në luftime pothuaj se kishin kuptuar gjithë shokët se familjes time i kishte ndodh tragjedi pasi i kisha humbur 18 anëtarë me babanë, ata më ngushëllonin dhe më bënin edhe më të fort. Për mua ishte dhe një arsye më shumë që luftën ta vazhdoj deri në çlirimin e vendit”, tregon Pajaziti, derisa shton se për të tashmë në rend të parë ishte çlirimi i Kosovës që të ia sjellim lirinë popullit shqiptarë.

Pajaziti tregon se luftime kishte çdo ditë, dhe moti kishte filluar të përmirësohet, pasi siç thotë ai, tri javët e para të luftimeve ishte një mot shumë i ligë. Ai tregon se forcat serbe mundoheshin të pajtohen me disfatën, andaj me një luftë të kombinuar mundoheshin që të kthehen prapë në ofenzivën e tyre për ti rikthyer pozicionet, por UÇK-ja ishte më e forcuar dhe më mirë të pozicionuar, por edhe numri i ushtarëve ishtë rritur dukshëm sa për ti përballuar çdo sulmi të armikut.

“Sipas mendimit tim, luftimet e 11 majit kanë qenë vendimtare dhe ja kanë bërë me dije ushtrisë serbe që UÇK-ja i del Zot tokës së vet, ku ketë ditë falë qëndresës tonë në Rrasë të Koshares e sidomos në pjesën e gomureve prej kroit deri lartë që luftonim ne “Cobrat” serbët përkundër angazhimit të forcave te shumta u thyen dhe pësuan disfatë ku e kuptuan se e kanë humbur definitivisht luftën.

Ditën e 11 Majit 1999 nga njësi jonë “Cobra” ka ra dëshmori i kombit Izet Beqiraj “Baballoqi 2” nën komandën e Naser Vllasit, ky dhe ishte ushtari i parë që bie dëshmor nën komandën e tij dhe disa të plagosur. Atë ditë ishim të rrethuar nga tri anët qysh herët pa aguar mëngjesi filluan granatimet mbi forcat tona për ti lehtësuar depërtimin forcave të veta, tentuan të depërtojnë me2 tanke ku njeri tank ka vazhduar në drejtim të Abaz Thaçit, tjetri përball pozicioneve tona, mirëpo terreni ishte i tillë ku ne e paaftësuam një tank. Ishte ditë e rëndë dhe as vet nuk e di se si i kemi përballu luftimet në pjesën ku gjendeshim ne “Cobrat”, pasi në çdo cep ku ishim ne ishte granatur nga ushtria serbe, kurse luftimet kanë vazhduar deri në orët e pasditës rrëth orës 16:00.

Me 11 maj ishin hedhë dy raketa nga aviacioni te depoja fushore te përroi i Padeshit, ku kishte pas të vrarë dhe të plagosur, më pas gjatë luftimeve, Pajaziti thotë se kanë qenë të bombarduar nëpër pozicionet e tyre në Rrasë, poashtu edhe me 15 dhe 16 maj gjatë natës nga aviacioni ka pas bombradime ku ka pasë të vrarë dhe të plagosur. Më 16 maj nga një plumb është rënë dëshmor Abaz Thaçi nga Drenica.

Pas plagosjes së Naserit me ne ishte zëvendësi i tij Arben Sejdiu i cili vazhdoj deri në përfundimin e luftës, pasi Naseri ishte në kurim në spitalin e Tiranës. Por, dua të thekson se isha shumë i kënaqur që tashmë isha pjesë e njësisë “Cobra”, pasi asnjëherë nuk më ka munguar vullneti për luftë”, tregon Pajaziti.

“Falë një lufte të mirëfilltë të disiplinuar, mirë të përgatitur nga eproret tanë dhe organizuar e komanduar nga komandantet e sidomos atyre që qëndronin me ushtaret ballë përball në luftime kundër armikut serb dhe ndihmës ajrore të aleateve tanë ja kemi arritur që ta largojmë armikun shekullor nga toka jonë dhe tua sjellim lirinë popullit tonë të shumë vuajtur që kurrë me çizmja e barbareve serb mos të shkel mbi gjakun dhe tokën tonë. Pas largimit të agresorit serb nga Kosova jemi vendosur në Junik ku kam vazhduar deri në demobilizimin e UÇK-së. Ky ishte një rrëfim i imi në pika të shkurta dhe ishte privilegje për mua të jem ushtar i Sali Çekut, Agim Ramadanit, Xhemajl Fetahut dhe gjithë dëshmorëve të rënë për lirin që kemi sot pa dalluar bashkëluftëtarët e mi. Poashtu ndihem krenar që pata fatin të jam ushtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani” ku fati dashi qe të mbijetoj dhe ti mbaj kujtimet dhe dhimbjet në shpirt për të gjithë ata që ranë për këtë vend. Uroj që kurrë më mos të shkelet assesi mbi gjakun e derdhur, mos ti harrojmë të rënët e kombit, mos të luajmë me vlerat e gjithë atyre që kontribuuan për këtë ditë, se mallkimi vjen nga vet ne". FUND

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat