Miratohet Projektligji për digjitalizimin e transmetimeve radio difuzive

Kosova

Miratohet Projektligji për digjitalizimin e transmetimeve radio difuzive

Më: 7 maj 2015 Në ora: 10:49

(I plotësuar) - Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vazhduar punimet e seancës plenare duke votuar projektligjin për digjitalizimin e Transmetimeve radio difuzive tokësore, ndonëse pati vërejtje të mëdha nga ana e deputetëve të opozitës për mënyrën e hartimin të këtij projektligji.
Këtë projektligj e prezantoi në vend të ministrit për Zhvillim Ekonomik Blerand Stavilevci, ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale, njëherësh zëdhënësi i qeverisë Arban Abrashi, i cili tha se procesi i kalimit nga teknologjia analoge në atë digjitale në Kosovë duhet të përfundoj me 17 qershor. Ky ligj sipas tij përcakton të drejtat dhe obligime e operatorëve të rrjeteve, ndryshimet në menaxhimin e brezit radio frekuencor e të tjera.

“Republika e Kosovës si shtet që aspiron anëtarësimin në BE duhet të respektoj standardet dhe teknologjinë e BE-së, përveç tjera edhe në shfrytëzimin e resurseve të veta frekuentore. Marrë parasysh që të gjitha shtetet e BE-së dhe ato të rajonit kanë përfunduar apo janë në përfundim të kalimit të teknologjisë së transmetimit tokësor analog në atë digjital edhe Kosova duhet të përshpejtoj procesin e këtij kalimi. Në këtë proces Kosova është vonuar andaj duhet që sa më shpejt të përfundoj ky proces sepse ekziston rreziku që Kosova për shkak të vonesave në këtë proces dhe në rast të mos koordinimit të aktiviteteve të shteteve fqinje të ketë probleme të shumta me sinjale televizive dhe më shërbime për qytetarët e Kosovës”, tha Abrashi

Në emër të komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik Infrastrukturë dhe Industri prezantoi ligjin Muhamet Mustafa, i cili tha se në mbledhjen e mbajtur ditë më parë nga ky komision pas diskutimeve dhe shqyrtimit edhe me akterë tjerë të përfshirë në këtë proces, është konstatuar se ligji mund të procedohet më tej në Kuvend, ligj ky i cili mundëson kalimin e sinjalit analog të transmetimit në atë digjital çka edhe është kërkesë nga institucionet evropiane për të përfunduar deri më 17 qershor.

“Komisioni ka konstatuar se ligji ka një rëndësi të veçantë për arsye se krijon parakushtet ligjore për kalimin nga transmetimi I sinjaleve analoge në sinjale digjitale e krijon një hapësirë më të madhe një shfrytëzim më racional të frekuencave si pasuri nacionale , në këtë mënyrë krijohen kushtet që edhe ofruesit e këtyre shërbimeve të kenë një konkurrencë më të madhe një hapësirë më të madhe dhe një përfitim më të madh për buxhetin nacional”, tha Mustafa.

Me formën e këtij ligji nuk u pajtua deputeti nga radhët e Vetëvendosjes Visar Ymeri i cili më pastaj ka listuar një varg problemesh e paqartësitë të cilat sipas tij duhet të sqarohen.

“Ky ligj në mënyrën si është sjell këtu ka shumë problem dhe mund të shkaktojë shumë vështirësi jo vetëm në implementim, por edhe kur të implementohet ka rrezik të shkaktojë pabarazi të mëdha sa i përket fushës të cilën e mbulon”, tha Ymeri.

Ndërsa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi ka kritikuar qeverinë e cila sipas saj nuk po tregon seriozitet ndaj kuvendit duke mos u paraqitur ministrat përkatës në prezantimet e ligjeve. Madje sipas saj Kosova me qeverinë më të shtrenjtë në rajon, e me popullin më të varfër në Evropë, me një mungesë kaq të madhe të ministrave po paraqet një pamje jo shumë të mirë për vendin tonë.

“Në dy seancat e fundit po shihet që nuk janë këtu as për të sponsorizuar ligjet në sferat përkatëse dhe kjo nuk është në rregull sepse nëse dikush e kërkon votën e deputetit në një demokraci parlamentare ai së paku duhet të jetë këtu personalisht të shpjegojë dhe të sponsorizojë dokumentin përkatës dhe Projektligjin dhe t’u përgjigjet pyetjeve sepse sot ndoshta do të ishte ndryshe po të ishte këtu ministri përkatës i cili do të jepte përgjigje për pyetjet e deputetëve. Jemi këtu në Kuvend dhe këta njerëz paguhet prej parave të qytetarëve të cilët janë më të varfrit në Evropë dhe janë 22 ministra prandaj kjo pamje këtu nuk po i bënë ndër askujt”, deklaroi Kadaj-Bujupi.

Edhe përkundër vërejtjeve të deputetëve të opozitës, Projektligjit për Digjitalizimin e transmetimeve radio difuzive tokësore, me 42 vota për, 22 kundër mori dritën e gjelbër nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në pjesën e pasdites të vazhdimit të seancës plenare u bë edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të Gjykatës ose Panelit për Lirim me Kusht, projektligj ky i cili u miratua me 66 vota për dhe asnjë kundër.

Miratohet me shumë vërejtje Ligji për barazi gjinore (Foto)

Shqyrtimi i projektligjit për Barazi Gjinore ngjalli debat dhe diskutim të gjatë në mes të deputetëve të kuvendit, të cilët patën shumë vërejtje në ligjin aktual, dhe disa prej tyre thanë se ky ligj nuk është i punuar mirë dhe ka mangësi të shumta.

Projektligjin e paraqiti ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, i cili tha se me këtë përcaktohen masat e përgjithshme dhe të veçanta për mbrojtjen dhe sigurimin e të gjitha të drejtave të barabarta për gratë dhe burrat.

Sipas Abrashit, nevoja për nxjerrjen e këtij projektligji konsiston “në avancimin e kornizës ligjore, e cila garanton, mbron dhe promovon lirinë në mes të dy gjinive si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare”.

Deputetja nga radhët e LDK-së Melihate Tërmkolli, gjatë debatit, tha se ky është një ligj i keq, dhe i përpunuar. Sipas saj, ky ligj nuk duhet të ketë emërtimin “për barazi gjinore” por ligj kundër diskriminimit, duke e cilësuar si një ligj të dobët.

Tërmkolli: Emërtojeni ndryshe këtë ligj, mos na sillni ligje të këqija

“Kryeministër, ju lutem kërkoni nga ministrat të mos na sjellin ligje të këqija, të mos na sjellin ligje të papërpunuara, më mirë mos me bë ligj hiç se ligje të këqija. Ose këtë ligj ju lutem emërtojeni ndryshe, emërtojeni jo ligj për barazi gjinore por jo ligj kundër diskriminimit, edhe mendoj që është një ligj i dobët”, tha Tërmkolli.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes Faton Topalli tha se paraqitja e këtij projekligji dëshmon për mungesë të sinqeritetit, si dhe paraqet përpjekje për mashtrim të opinioni dhe të qytetarëve.

Topalli: Përbërja e Qeverisë nuk jep sinjal për barazi gjinore

“Ndaluni dhe shikoni përbërjen e Qeverisë, shikojeni numrin e ministrave dhe mendoni se cili është sinjali që jep kjo qeveri për barazin gjinore. Sa mund të jetë një qeveria për barazi gjinore e cila ka vetëm dy ministra të gjinisë së kundërt dhe qytetari I vëmendshëm nuk do të ngurojë të pyesë vallë a është kjo barazi gjinore të cilën ju po e bëni, vallë a është ky koncepti dhe praktika që ju e keni për barazinë gjinore? Përgjigja në këto pyetje që shtrova unë është vetë përbërja e ligjit”, tha Topalli .

Gezim Kelmendi, deputet i pavarur, tha se gjinia femrore përbën gjysmën e popullatës në Kosovë dhe se ajo duhet të ketë trajtimin që meriton në shoqërinë kosovare. Kelmendi pati edhe disa vërejtje për ligjin, të cilat edhe i tha para deputetëve.

Kelmendi: Gjinia nuk është identitet i fituar, është identitet i lindur

“Ajo çka më bënë më tepër të jap propizimet te ky projekligj është te neni tre ku kemi të bëjmë me paragrafin 1.7 dhe 1.8 . Sipas këtyre paragrafëve, do të thotë paragrafi 1.7 i titulluar si ‘seks’, definon kush është mashkull e kush është femër, ndërsa 1.8 GJINIA e thotë të kundërtën. Gjinia thotë është identitet i fituar. Kërkoj falje, ndoshta është bërë pa qëllim por prapëseprapë ky i mbet përgjegjësi komisionit se gjinia nuk është identitet i fituar, se gjinia është identitet i lindur se njeriu lind mashkull apo femër. Prandaj nuk është seksi ai që definon kush është femër kush është mashkull, por është gjinia, ngase nëse i referohemi këtyre përkufizimeve përkataisht nenit 3, përkufizimit 1.7 seksi, atëherë i bie që ky projekligj të mos titullohet për barazi gjinore, por projekligji për barazi seksuale”, tha Kelmendi.

Pas këtyre dhe diskutimeve të tjera, projektligji kaloi me 65 vota për, 3 kundër dhe 2 abstenime.

Kuvendi miratoi edhe Projekligjin për mbrojte nga diskriminimi me 64 vota për dhe asnjë kundër, ndërsa po ashtu, pas përfundimit të debatit në seancat paraprake, u miratua në lexim të parë Proejktligji për provimin e maturës shtetërore me 58 vota për dhe 6 abstenime.

Miratohet Projektligji për Avokatin e Popullit

Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për Avokatin e Popullit. Miratimi i këtij projektligji mori mbështetjen e shumicës së deputetëve, ku për votuan 59 deputetë, kundër 12 dhe abstenime 3.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se synimi i këtij projektligji është promovimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Duke u bërë thirrje deputetëve që të miratojnë këtë projektligj, ministri Abrashi ka thënë se me miratimin tij përmbushë një nga kërkesat e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.

“Ky projektligj i përcaktuar në programin legjislativ të Qeverisë së Kosovës për vitin 2015, ka për qëllim krijimin e një kornize si dhe përcaktimin e standardeve më të larta për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe eliminim e vështirësive që ka hasur në praktike institucioni i Avokatit të Popullit”.

“Me miratimin e këtij projektligji si pjesë e pakos së ligjeve të drejtave të njeriut ne përmbushim edhe një kërkesë nga raporti i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave”, tha Abrashi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Mytaher Haskukaj, duke dhënë vërejtjet për këtë projektligj, ka deklaruar se projektligji nuk ndryshon gjendjen e institucionit të Avokatit të Popullit.

Ky projektligj në parim është mbështetur nga AAK, Nisma për Kosovën dhe Grupi 6+.

Porjektligji për Festat Zyrtare nuk kalon në Kuvend

Projektligji për Festat Zyrtare nuk është votuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Për këtë ligj votuan 50 deputetë ndërkaq kundër 20 prej tyre.

Për të kaluar Projektligji për Festat Zyrtare është dashur që të votojnë 60 deputetë.

Ndërkaq Ligji për Avokatin e Popullit, është votuar nga deputetët e Kuvendit.

​Projektligji për Festat Zyrtare nuk mund të votohet pa deputetët e “Srpskas”

As sot në seancë nuk po hidhet në votim Projektligji për Festat Zyrtare, i cili dje nuk është votuar për shkak të mungesës së kourumit.

Deputetja nga Lëvizja “Vetëvendosje” Albulena Haxhiu ka kërkuar sqarime nga udhëheqësi i seancës se pse edhe ky projektligj nuk po hidhet në votim.

Kryetari Kadri Veseli ka sqaruar se për ta votuar këtë projektligj siç është ai për Festat Zyrtare duhet të jenë edhe shumica e deputetëve nga pakicat.

Sipas Veselit, në seancë mungojnë deputetët e Listës Serbe.

Në seancë ka folur edhe ministri Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili duke prezantuar projektligjin për Avokatin e Popullit, tha se me miratimin e këtij projektligji Kosova përmbush edhe një kriter për liberalizimin e vizave.

Ndryshimi i projektligjit i financave publike i iniciuar nga qytetarët votohet unanimisht

Deputetët e kanë votuar me shumicë votash ndryshimin dhe plotësimin e menaxhimin e financave publike.

Ky projektligj është iniciuar nga iniciativa qytetare me moton “Drejtësi për gjithë”.

Po ashtu në seancë është votuar edhe projektligji për Armë dhe ai për Letërnjoftim.

Deputetët flasin për kompensimin e dëmeve joekonomike

Seanca e Kuvendit të Kosovës filloi me shqyrtimin e peticionit të 13 mijë qytetarëve të cilët kanë kërkuar ndryshimin e ligjit për menaxhim të Financave Publike, ligj ky i cili sipas nismës qytetare shkel të drejtat e njeriut.

Vjosa Osmani duke prezantuar kërkesën e 13 mijë qytetarëve të kampanjës drejtësia për qytetarët tha se ligji aktual duke përjashtuar të drejtën e dëmeve joekonomike është shkelje e të drejtave të njeriut dhe shkelje kushtetuese.
Ndërkohë të gjitha grupet parlamentare kanë mbështetur këtë nismë për ndryshimin e këtij ligji.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat