Me manifestim modest përkujtohet Bahri Fazliu në 17 vjetorin e rënies

Kosova

Me manifestim modest përkujtohet Bahri Fazliu në 17 vjetorin e rënies

Më: 7 maj 2015 Në ora: 07:42

(E plotësuar) Bahri Fazliu gjithë jetën e tij luftoi për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ai e dinte se liria e atdheut fitohej me gjak. Çdo kund në shqiptari, legal e ilegal rrugëtoi për lirinë e atdheut

Kështu u përkujtua sot në 17 vjetorin e rënies së tij, nga bashkëveprimtarë, miq e familjarë. Pranë përmendores së dy vëllezërve nga Llausha e Podujevës, Fahri dhe Bahri Fazliu, u bënë homazhe dhe u vendosën lule pranë këtij të fundit, për të nderuar jetën dhe veprën e tij.

Në 17 vjetorin e rënies së Bahri Fazliut u tha se jeta dhe vepra e tij ende jeton me të gjallët.

Tahir Gjonbalaj, bashkëveprimtar i të ndjerit, duke folur për jetën dhe veprimtarinë e Bahri Fazliut, e përkujtoi mikun e tij si një organizator, vizionar e analist, e jo vetëm një luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ai ishte atje ku dora e armikut e shtrëngonte dhe e shtypte më së shumti popullin,. Ai së bashku me shokët e tij e në veçanti me Agron Rrahmanin luftën e bënë me pushkë e me pendë. Ata nuk ishin thjeshtë luftëtarë por edhe organizatorë, vizionarë, analistë, por ai me pendën e tij të mprehtë, nëpërmes revistës ‘Çlirimi’, i shprehte qartë qëndrimet e veta politike orientimin, rrugën e drejtë për çlirim dhe bashkim kombëtar. Edhe pse i ri në moshë, qartësia e tij politike ishte kulminante, e pjekurisë vizionare dhe e pa kompromis. Këto veti të një strategu, atdhetari, u shquan gjatë punës së përditshme të tij”, tha Gjonbalaj.

Ai tha se e gjithë forca intelektuale dhe puna e Bahriut kanë qenë të orientuara tek bashkimi i forcave çlirimtare, që të bashkuara të luftonin armikun.

Për të nderuar figurën e Bahri Fazliut të pranishëm qenë edhe organizata të dala nga lufta e UÇK-së, nga zona operative e Llapit.

Emri i Bahri Fazliut tashmë po jeton edhe në nipin e tij. Ai ka lindur pas rënies së Bahri Fazliut. Nipi që mban emrin e xhaxhait dëshmor tha se ata, kanë luftuar për të bashkuar Shqipërinë e ndarë.

“Të ecësh në rrugën që trasuan dëshmorët është garanca më e sigurt për të tashmen e të ardhmen tonë. Të gjithë dëshmorët punuan për t’i bashkuar në një të vetme pjesët e ndara të Shqipërisë për ta bërë Shqipërinë më të fortë e stabile”, tha Bahri Fazliu i ri.

Ai tha se të kujtosh veprën e dëshmorëve të kombit, është puna më fisnike që mund ta bëjë njeriu.

Bahri Fazliu nga fshati Llaushë i Podujevës, u vra më 7 maj të vitit 1998 në trekëndëshin kufitar Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi.

Dëshmori Bahri Fazliu, është vëlla i heroit Fahri Fazliu, i cili së bashku me Afrim Zhitinë u vranë nga forcat serbe më 2 nëntor 1989 në Prishtinë.

​17 vjet nga rënia e Bahri Fazliut-Gëzimit

Sot bëhen 17 vjet nga rënia heroike e Bahri Fazliut, dëshmor i kombit nga Llausha e Podujevës.

Bahri Fazliu vritet më 7 maj 1998 në Bogiqe të Malit të Zi, në trekëndëshin kufitar Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi.

Dëshmori Fazliu është vëlla i heroit Fahri Fazliu, i cili së bashku me Afrim Zhitinë janë vrarë nga forcat serbe më 2 nëntor 1989 në Breg të Diellit në Prishtinë.

Nesër në orën 12, do të bëhen homazhe te përmendoret e vëllezërve Bahri dhe Fahriu në fshatin Llaushë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat