​Ministria e Bujqësisë premton përkrahje për fermerët llapjanë

Kosova

​Ministria e Bujqësisë premton përkrahje për fermerët llapjanë

Më: 6 maj 2015 Në ora: 21:01

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim Vezir Januzn, zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural .

Gjatë takimit të kryetarit Veliu me zëvendësministrin Januzi është biseduar për prioritetet e investimeve dhe subvencionimin e sektorit të bujqësisë në trevën e Llapit.

Kryetari Veliu tha se investimet në bujqësi dhe përkrahja për fermerët llapjanë vazhdon të jetë prioritet në politikat zhvillimore të Komunës.

“Me qëllim të stimulimit të sektorit të bujqësisë sivjet kemi rritur për 30% mjetet për subvencionimin e fermerëve. Kështu që nga 310 mijë euro sa kemi ndarë vitin e kaluar, sivjet nga Buxheti i Komunës kemi ndarë 400 mijë euro për subvencionimin e fermerëve në sektorë të ndryshëm”, tha Veliu.

Zëvendësministri Januzi, duke qenë njohës i mirë i nevojave dhe mundësive për investime në sektorin e bujqësisë në komunën e Podujevës, premtoi përkrahjen e MBPZHR për fermerët llapjanë.

“Komuna e Podujevës do të ketë përkrahjen e ministrisë sonë në projektet e saj në zhvillimin e bujqësisë. Përmes granteve qeveritare do të ndihmojmë edhe fermerët llapjanë në investimet e tyre në lëmin e bujqësisë”, tha zëvendësministri Januzi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat