Mustafa: LDK-ja dhe Ibrahim Rugova i vunë themelet e shtetit të Kosovës

Kosova

Mustafa: LDK-ja dhe Ibrahim Rugova i vunë themelet e shtetit të Kosovës

Më: 6 maj 2015 Në ora: 19:20

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë sot ka shënuar 25 vjetorin e themelimit të saj.

Të pranishëm në këtë ceremoni solemne ishin kryetari i LDK-së, njëherësh dhe kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa, pastaj përfaqësues nga kryesia qendrore e LDK-së, ministra të qeverisë, deputetë të Kuvendit, përfaqësues të ekzekutivit të qeverisjes lokale në Mitrovicë, themelues, kontribuues dhe aktivistë të LDK-së ndër vite, si dhe anëtarë e simpatizantë të saj.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke uruar para të pranishmëve këtë përvjetor të rëndësishëm, ka shprehur respektin e tij për të gjithë ata që kanë punuar deri tani për ta mbajtur në këmbë këtë parti.

Sipas tij, mitrovicasit kanë qenë bashkudhëtarë të denjë të deritashëm të LDK-së.

Mustafa: LDK-ja me Ibrahim Rugovën vuri themelet e shtetit të Kosovës

“Sot po punojmë për Lidhjen Demokratike, parti e cila është shtet formuese, që në krye me Ibrahim Rugovën ka vënë themelet e shteti të Kosovës, e cila në krye me Ibrahim Rugovën dhe të gjithë bashkëthemeltarët e LDK-së i ka vënë vulën konceptit të pavarësisë, lirisë dhe të demokracisë”, ka thënë Mustafa.

Në anën tjetër, kryetari i LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, tha se edhe Mitrovica sikur gjithë qytetet tjera, asokohe u bë pjesë e rrugëtimit për liri, pavarësi dhe demokraci, duke themeluar degën e LDK-së më 6 maj 1990.

Kamberi: LDK-ja na bashkoi në idenë për Republikën e Kosovës

“Lidhja Demokratike e Kosovës ishte bërë shteti ynë, ajo organizonte jetën politike, arsimore, shëndetësore, kulturore e sportive. Ajo na bashkoi në idenë për Republikën e Kosovës, duke organizuar rezistencën paqësore, mirëpo në një periudhë kur mjetet paqësore u shterën, u bë gjithashtu pjesë aktive e rezistencës së armatosur”, ka thënë Kamberi.

Ai ka bërë thirrje që të kujtohet sakrifica e prindërve, të kujtohen ata që sot nuk janë të gjallë, dëshmorët e kombit, si dhe qytetarët të cilët shpresojnë në LDK-në. /A. Damati/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat