Vjosa Osmani nuk mohon kandidaturën për kreun e LDK-së

Kosova

Vjosa Osmani nuk mohon kandidaturën për kreun e LDK-së

Më: 6 maj 2015 Në ora: 17:24

Beteja për kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka filluar të bëhet shumë interesante. Derisa shefi i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar për herë të parë në media, se synon që përsëri ta drejtojë këtë parti, ka ardhur reagimi i deputetes më të fuqishme nga radhët e kësaj partie, Vjosa Osmanit, e cila nuk mohon kandidimin e saj.

Osmani, duke mos e mohuar mundësinë që do ta sfidojë Mustafën për pozitën e të parit të LDK-së, ka theksuar se të gjithë delegatët për Kuvendin Qendror të LDK-së, kanë të drejtë të kandidohen për pozitën e kryetarit të partisë.

Sipas saj, detyrë parësore e delegatit është që të votojë në përputhje me vullnetin e elektoratit dhe anëtarësisë.

Ndërsa, e pyetur se autoriteti të cilin ajo e gëzon ajo, në mesin e anëtarësisë së partisë, a do të jetë arsye shtesë për kandidimin e saj si drejtuese e këtij subjekti politik, ajo ka thënë se “unë do ta dëgjoj zërin e anëtarësisë së LDK-së”.

Si kandidat të mundshëm për të parin e LDK-së, përveç Mustafës dhe Osmanit, është lakuar edhe emri i të parit të Gjilanit, Lutfi Haziri

Ndryshe, kryeministri i Kosovës dhe lideri aktual i LDK-së, Isa Mustafa, në një intervistë të cilën e ka dhënë sot për media, e ka pranuar për herë të parë, se do të garojë edhe për një mandate për të parin e LDK-së.

Mustafa po ashtu i ka vlerësuar zgjedhjet nëpër degët e LDK-së, si një proces i organizuar mirë dhe krejtësisht demokratik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat