​Papunësia ende mbetët sfidë në komunën e Ferizajt

Kosova

​Papunësia ende mbetët sfidë në komunën e Ferizajt

Më: 6 maj 2015 Në ora: 16:50

Jo pak qytetarë të Ferizajt gjatë ditës i vizitojnë institucionet e pushtetit lokal në kërkim të ndonjë vendi të punës, apo të ndonjë përkrahje materiale.

Në mesin e tyre ka njerëz që tashmë këtë e kanë bërë rutinë, ndonëse e dinë mirë se komuna nuk ka mundësi t'u ofrojë vende të punës.

Njëri ndër ta është edhe Vesel Ismajli nga Ferizaj, i cili deri para një kohe kishte qenë pjesë e një firme private, ku, për shkak të krizës, pronari i saj ishte detyruar të bëjë reduktime të numrit të punëtorëve.

Veseli thotë se me familjen e tij pesë anëtarëshe po e ka të vështirë të mbijetojë këtë gjendje.

"Një ditë punoj e gati tërë javën sillem. Çdo ditë dal në tregun e punës së krahut, aty te xhamia dhe kur ka punë punoj ndonjë ditë, por në të shumtën e rasteve më shumë nuk punoj" shprehet ai, teksa thotë se komuna disa herë e ka ndihmuar me gjëra ushqimore, por jo edhe me ndonjë vend të punës.

"Jam rast social dhe kam nevojë për punë, por është vështirë të gjendet punë në këto kushte të krizës", thotë Veseli.

Ndryshe, ky rast në komunën e Ferizajt nuk është i vetëm, numri i personave të papunë ende vazhdon të jetë i lartë. Bazuar në shifrat që disponon Zyra e Punësimit, në Ferizaj janë mbi 17.000 mijë punëkërkues të regjistruar, ndërsa prej këtij numri rreth 9 000 punëkërkues janë aktivë.

Drejtues të kësaj zyre kanë thënë se numri më i madh i punëkërkuesve janë të pakualifikuar, ndërsa ka të regjistruar edhe me fakultet të përfunduar.

"Në bazë të shifrave janë 323 persona të regjistruar që e kanë të kryera fakultetin, por që një pjesë e tyre tashmë janë të punësuar dhe nuk janë larguar nga listat", theksoi Kemajl Shabani, UD drejtues i Zyrës së punësimit në Ferizaj.

Bëhet e ditur se kjo zyre ndërmjetëson në punësimin e punëkërkuesve, si dhe ndihmon realizimin e ndonjë projekti të punësimit. Shabani thotë se janë 207 vende të lira të punës kryesisht në industri, shërbime, tregti dhe hoteleri.

"Vetëm gjatë muajit të fundit kemi pasur të regjistruar 55 vende të lira në disa degë të ekonomisë. Detyra e jonë është të ndërmjetësojmë në punësimin e fuqisë punëtore" shprehet ai.

Në këtë zyre kanë përmendur edhe një projekt në nivel rajonal që po implementohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), i njohur si punë praktikë. Ky projekt për 6 muaj ka angazhuar 15 praktikantë që do të punojnë me pagesë. Gjithashtu u bë e ditur se në nivel të rajonit, ku bëjnë pjesë edhe komunat e Kaçanikut, Shtimes dhe Shtërpces, numri i punëkërkuesve të regjistruar e kalon shifrën e 30 mijë vetave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat