​Prishtina dhe Ferizaj prijnë në raportin e konkurrueshmërisë

Kosova

​Prishtina dhe Ferizaj prijnë në raportin e konkurrueshmërisë

Më: 6 maj 2015 Në ora: 14:32

Rezultatet që kanë dalë nga një raport i Ministrisë së Tregtisë që mat konkurrueshmërinë e Komunave ka nxjerrë Komunën e Prishtinës të parën sa i përket bizneseve të vogla dhe vijueshmërisë së arsimit, e cila sipas raportit ka dalë të jetë mbi mesataren në nivel të vendit.

Por jo vetëm Prishtina ka dalë të jetë e para. Në një sektor tjetër prinë komuna e Muharrem Sfarqës. Ferizaj radhitet i pari sa i përket infrastrukturës së mirë.

Ferizaj prin edhe sa i përket burimeve financiare të ardhur nga personat tjerë apo ndihma nga personat që jetojnë jashtë vendit.

Këto të dhëna u dhanë gjatë një tryeze për media të Projektit “Kosovo SME Promotion Programme (KOSME)” në të cilën prezantoi rezultatet e raportit të vlerësimit të konkurrueshmërisë në komuna(MCR)

Christina Enichlmair, përfaqësuese e KOSME deklaroi që raporti i zhvilluar për konkurrueshmërinë e komunave ka pasur për qëllim ngritjen e kapaciteteve për zhvillimin e bizneseve të mesme dhe të vogla dhe rritjen e investimeve në sektorin privat.

Enichlmair: Krijuam një instrument të konkurrueshmërisë

“Qëllimi jonë ishte të krijojmë një instrument të konkurrueshmërisë së komunave dhe të ndihmojmë në ngritjen e kapaciteteve për biznese të vogla dhe të mesme. Fusha e hulumtimit ishte popullsia, taksat dhe performancat e bizneseve lokale”, tha Enichlmair.

Ndërsa Markus Beachler, drejtor i Zyrës Zvicerane për bashkëpunim në Kosovë tha që Zvicra është shembulli më i mirë i zhvillimit të bizneseve të vogla dhe të mesme.

Por, Beachler u tregua kritik sa i përket gjendjes ekonomike të vendit dhe përkrahjes në sektorin privat.

Beachler: Ekonomia e Kosovës është modeste

“Ekonomia e Kosovës është modeste dhe rritja e saj duhet me reduktu numrin e papunësisë. Ne punojmë në përkrahjen e sektorit privat. Raporti i cili u prezantua do të identifikojë fuqitë dhe mangësitë e komunave”, ka thënë Beachler.

E Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati tha që Ministria të cilën e përfaqëson është e përkushtuar që të krijojë një ambient më të mirë për bizneset e vogla dhe të mesme.

Agjencia për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (AMNVM) në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me projektin Kosovo SME Promotion Programme (KOSME), do të vazhdoj me mbështetjen direkte të ndërmarrjeve nëpërmjet skemës Voucher për Këshilldhënie (SVK).

Kjo skemë ka për qëllim mbështetjen e ndërmarrjeve në zhvillimin e proceseve të tyre të brendshme, në mënyrë që ta përmirësojnë performancën dhe efikasitetin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat