Zyrtarë të Departamentit amerikan vizituan Mitrovicën

Kosova

Zyrtarë të Departamentit amerikan vizituan Mitrovicën

Më: 5 maj 2015 Në ora: 18:20

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, priti Ilian Goodman, zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan për Kosovën, Scot Lang zyrtar i ambasadës amerikane në Prishtinë, Marisa Cohrs, zyrtar politik i ambasadës amerikane, që shoqëroheshin nga Agron Ramaj dhe Ana Shariq, këshilltarë politik në këtë ambasadë.
Kryetari Bahtiri i njoftoi zyrtarët amerikanë lidhur me angazhimin për të krijuar stabilitet, ambient të sigurt, lëvizje të lirë dhe për të hap rrugën për zhvillim ekonomik dhe thithjen e investimeve në qytetin e Mitrovicës.
"Vizioni im është krijimi i stabilitetit dhe sigurisë në Mitrovicë, mbyllja e rrugëve të krimit, korrupsionit dhe incidenteve, sigurimi i ambientit të sigurt për investime, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe hapjen e perspektivës së qytetarëve për jetë më të mirë", tha kryetari Bahtiri.
Në vazhdim kryetari Bahtiri i njoftoi zyrtarët e Departamentit lidhur me punën që është bërë në uljen e tensioneve, për takimet dhe bashkëpunimin me kryetarin Rakiq, posaçërisht për takimet e grupeve punuese për rindërtimin e shtëpive dhe kthimin në to, por edhe për aktivitetet e përbashkëta rreth kërkimit të të riut shqiptar që u mbyt në Ibër ditë më parë, si dhe i njoftoi lidhur me projektet e përbashkëta të të dyja komunave në të ardhmen.
Goodman falënderoi për takimin dhe informacionet që i duhen për të plotësuar mozaikun e gjendjes në Mitrovicë dhe Kosovë. Ai tha se është këtu për të shikuar mundësitë e mbështetjes në proceset në vazhdim, ndërkohë që e inkurajoi kryetarin Bahtiri për vazhdimin e takimeve me Rakiqin, të grupeve punuese për kthim, bisedat rreth gjetjes së modaliteteve për shtensionimin e gjendjes rreth urës kryesore mbi lumin Ibër, si dhe nxitjen e investimeve dhe projekteve të përbashkëta etj.
Bahtiri po ashtu i ka njoftuar amerikanët se së shpejti do realizohen dy projekte të përbashkëta, njëri është ai për ndërtimin e një rruge në gjatësi 1,5 kilometra, ku do të investojnë së bashku dy komunat.
“Ne kemi bashkëpunimin edhe në fushën e menaxhimit të mbeturinave, ku kemi nënshkruar kontratën shumëmilionëshe për ndërtimin e fabrikës së riciklimit të mbeturinave ne kompaninë amerikane "Green Power", që do përmirësoj dukshëm gjendjen, do prodhohet energji elektrike dhe sigurohet riciklimi në periudha afatgjate”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat