Punëtorët e Administratës së Universitetit presin lajme të mira nga rektori

Kosova

Punëtorët e Administratës së Universitetit presin lajme të mira nga rektori

Më: 5 maj 2015 Në ora: 17:48

Greva e punëtorëve të Administratës së Universitetit të Prishtinës po vazhdon ende dhe ajo nuk do ta ndalet deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Kryetari i Këshillit Grevist, Bardh Bardhi, tha se edhe pas tentimeve të shumta të tyre për të arritur marrëveshje me Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës nuk është bërë ende asgjë, por, pritet që të enjten ky i fundit të mbajë një takim të jashtëzakonshëm me të vetmin rend të ditës- Kontrata Kolektive, si dhe përpjekja e Sekretarit lidhur me shkrirjen e stimulimit në pagën bazë.

Por, Bardhi, pas takimit të sotëm me rektorin e Universitetit, Ramadan Zejnullahu, ka marrë premtime të mëdha dhe ata do e presin rektorin edhe nesër në takim . Bardhi shpreson që në takimin e nesërm ata do të arrijnë marrëveshje për kërkesat e tyre.

“Neve rektori na premtoi që nesër në orën nëntë do të vijë, në takimet tonat që i mbajmë në orën nëntë dhe besoj që do të na jep një lajm të mirë dhe së bashku me këshillin drejtues do të arrijmë qëllimin tonë, për çka kemi hyrë në grevë, e ajo është nënshkrimi i kontratës kolektive, që këshillit drejtues është i obliguar ta arrijë”, tha Bardhi.

Nëse nuk bëhet asnjë ndryshim, ai thotë se greva nuk do të ndalet.

Grevën e tyre e mbështet edhe Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Kryetari i saj, Rrahman Jasharaj, tha përmes telefonit për KosovaPress se ata e përkrahin grevën e punëtorëve të Administratës së Universitetit të Prishtinës dhe se do t’i mbështesin ata deri në realizimin e tyre, pasi që është e drejtë e kuptueshme e tyre.

Por, edhe pse ligjëratat po vazhdojnë të mbahen, kjo grevë po u shkakton shumë telashe studentëve në mbajtjen e kollokviumeve, paraqitjen e provimeve dhe në pagimin e semestrit.

Stufdentja Adelina Osmani, tha se për shkak të grevës ata nuk po i mbajnë kolloviumet dhe se ato nuk do t’i mbajnë deri sa të ndalet greva. Kjo gjendje, sipas saj, mund të pengojë në arritjen e kritereve dhe të notave që ata i dëshirojnë.

“Në procesin e ligjëratave greva nuk është duke na penguar, sepse ligjëratat po mbahen rregullisht, mirëpo në procesin e kollokviumeve dhe të provimeve po kemi pak problem, për arsye se provimet dhe kollokviumet janë shtyrë. Për shembull, javën e kaluar kemi pasur një kollokvium dhe nuk është mbajtur dhe është shtyrë për afat të pacaktuar...po na pengon se ne ndoshta nuk e arritëm kriterin të cilin e kemi për qëllim, ose synimet tona që t’i marrim notat aq të larta”, tha Osmani.

Ndërsa, Leonora Sallova, tha se për shkak të grevës ajo nuk po mund ta paguaj semestrin dhe se ajo rrezikon ta humb vitin për shkak të mos pagesës.

“Në proces të ligjëratave nuk po na pengon, ligjëratat po i mbajmë me rregull të gjithë studentët, por administrata po na pengon sepse nuk po mundemi me paguar semestrin, se ka student që ende nuk e kanë paguar semestrin dhe kjo ndikon që me humb vitin... tash është koha për me i paraqit provimet dhe kjo mund të ndikoj mjaftë shumë. Unë ende nuk e kam paguar semestrin, tash po pres, unë pata sot me paguar por administrata në grevë”, tha Sallova.

Kërkesat e punëtorëve të Administratës së Universitetit të Prishtinës janë nënshkrimi i Kontratës Kolektive në mes të Sindikatës së Universitetit dhe Shkencës së Kosovës (SUSHK) dhe Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, shkrirja- fuzionomi i Stimulimit në pagën bazë dhe dhënia e 0.20 eurove për stafin administrativ nga paraqitja e provimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat