Haziri: Zija Shemsiu na mësoi që të rezistojmë dhe të mos e pranojmë robërinë

Kosova

Haziri: Zija Shemsiu na mësoi që të rezistojmë dhe të mos e pranojmë robërinë

Më: 5 maj 2015 Në ora: 17:31

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur sot akademia përkujtimore kushtuar 30-vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit, Zija Shemsiu.

Në këtë akademi ka marrë pjesë kryetari Lutfi Haziri, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, nënkryetarit Rexhep Kadriu, drejtorët e këshilltarët komunalë, deputetë, ministra, liderë partish, e bashkëveprimtarë të dëshmorit.

Kryetari Haziri, në fjalën e rastit, ka bërë të ditur se me iniciativën e Komunës së Gjilanit, sot presidentja Atifete Jahjaga e ka dekoruar Zija Shemsiun me urdhrin Hero i Kosovës dhe ceremonia e ndarjes së dekoratës do të mbahet në qershor.
Poashtu, ai tha se me iniciativën e Komunës, në vitin e ri do të emërohet një shkollë fillore me emrin Zija Shemsiu, duke shtuar se jehona e madhe e rezistencës së tij bëri që të merret shembull nga të gjithë.
“Gjithmonë thuhet se për njerëz të mëdhenj duhet të përgatitemi shumë dhe nuk besoj që ka letër që mund ta zbardhë veprimtarinë e Zija Shemsiut. Kryengritja e Zija Shemsiut së bashku me Sami Kurteshin dhe bashkëluftëtarët e tij, ka bërë që jehona e madhe e rezistencës së tij, jo vetëm në Gjilan e Anamoravë, por në mbarë Kosovën, të merret si shembull i veprimtarit të madh i cili kryengritjen e çon deri në fund”, ka thënë Haziri.
Haziri tha se ky kolos i kombit na mësoi të rezistojmë dhe të mos e pranojmë robërinë e padrejtësinë.
“Ai na mësoi të rezistojmë dhe të mos e pranojmë robërinë e padrejtësinë. Gjatë veprimtarisë së Zija Shemsiut unë kam qenë i ri, por për veprimtarinë e tij unë kam mësuar nga babai e xhaxhai im. Veprimtaria e tij atdhetare na ka bërë të gjitha gjeneratave të rreshtohemi në atë rezistencë të madhe të popullit për të drejtën për të jetuar të lirë. Rruga dhe amaneti i Zija Shemsiut na thërret në qëllimin final - që të jetojmë të bashkuar, të lirë dhe të barabartë”, shtoi kreu i Komunës së Gjilanit.
Një fjalë rasti patën edhe bashkëveprimtarët e Zijahut, Sami Kurteshi e Avni Dehari si dhe ministri i Diasporës, Valon Murati, të cilët e vlerësuar lartë kontributin e jashtëzakonshëm të këtij kolosi për lirinë e shqiptarëve deri në sakrificë.
Në fund, kori i qytetit ka përgatitur një program të pasur kulturor-artistik për të pranishmit. Pas akademisë, është hapur ekspozita për veprimtarinë e dëshmorit në galerinë e qytetit.
Ndryshe, Komuna e Gjilanit ka nisur sot në mëngjes nderimet për veprën e Zija Shemsiut, ku strukturat komunale në krye me kryetarin Lutfi Haziri kanë bërë homazhe tek lapidari i dëshmorëve dhe te varri i dëshmorit në fshatin Përlepnicë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat