Presidentja së shpejti emëron 41 gjyqtarë të rinj

Kosova

Presidentja së shpejti emëron 41 gjyqtarë të rinj

Më: 5 maj 2015 Në ora: 15:06

(I plotësuar) Këtë javë apo më së largu javën e ardhshme presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga pritet t’i emërojw edhe 41 gjyqtarë në Gjykatat Themelore, pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës tashmë ka përfunduar të gjitha procedurat dhe i ka dërguar emrat tek e para e vendit.

Emërimi i këtyre gjyqtarëve pritet të shtoi efikasitetin në zvogëlimin e numrit të lëndëve të grumbulluara me vite.

E për ta shtuar këtë efikasitet, KGJK-ja ka nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi me UNDP-në, i cili ka për qëllim harmonizimin e mëtutjeshëm të praktikave gjyqësore me qëllim të rritjes së efikasitetit të gjykatave.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Enver Peci tha se janë të rëndësishme ndihmat që po jep UNDP-ja në përmirësimin e punës së Gjykatave në Kosovë. Madje, sipas tij, pa ndihmën e tyre nuk do të arrinin në këtë nivel.

“Unë besoj se këto ndihma që po na i japin do të kenë efekt në rend të parë në ngritjen e besueshmërisë së qytetarëve në sistemin gjyqësor. Në të njëjtën kohë edhe ngritjen e procedurave dhe avancimin e procedurave në përgjithësi sa i përket sistemit gjyqësor”, tha Peci.

Kreu i KGJK-së shtoi se aktualisht janë në pritje të emërimit edhe të 40 gjyqtarëve në Gjykatat Themelore, që sipas tij do ta shtojnë efikasitetin e punës, ndonëse në disa prej gjykatave veç është rritur efikasiteti, por problemi më i madh vazhdon të jetë në Prishtinë.

“41 gjyqtarë iu kanë dorëzuar presidentes për emërim në gjykatat themelore. Po pritet në këtë javë, eventualisht javën e ardhshme do të emërohen, do të thotë procedurën e KGJK-së e kemi përfunduar në të gjitha procedurat, janë propozimet tek presidentja dhe na po shpresojmë shumë shpejt emërohen. Është një numër që nuk kemi arritur sipas konkursit 45, kanë qenë disa pengesa që kam thënë edhe më herët, por po shpresojmë se edhe me këta 41 gjyqtarë do të ndikohet pozitivisht në grumbullimin e lendeve. Prej tyre 18 janë vetëm për Prishtinën, ku është problemi më i madh”, tha Peci.

Megjithatë, ai tha se nuk kanë arritur t’i dërgojnë të presidentja për emërim të gjithë kandidatët sipas konkursit, 45 gjyqtarë, pasi specifikat e konkursit po paraqesin problem për kandidatët për tu bërë gjyqtarë.

Ndërsa, zëvendës përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së Alessandra Roccasalvo tha se memorandumi zyrtarizon bashkëpunimin në harmonizimin e mëtutjeshëm të praktikave gjyqësore me qëllim të rritjes së efikasitetit të gjykatave.

“Është shumë e rëndësishme të ekzistojnë standarde, kurrikula, praktika për të ndërtuar njohuri dhe shkëmbyer ato me të diplomuarit dhe është shumë i rëndësishëm mësimi akademik” tha ajo.

Programi ka në fokus praktikat ligjore të harmonizuara, rritje të efiçencës së gjykatave, organizimin e seancave të rregullta punuese me gjykatësit e Gjykatave Themelore dhe Gjykatës së Apelit për diskutime lidhur me praktikat ligjore nga fusha e ligjit civil dhe penal, mbështetje për bibliotekën e KGJK-së, mbështetje e KGJK-së me rolin e mekanizmit koordinues me të gjitha institucionet tjera përkatëse të drejtësisë.

Përmes zhvillimit të kurikulës për programin e punës praktike, me mbështetjen e UNDP-së, programi i punës praktike si pjesë qenësore e sistemit edukativ për profesionistët gjyqësorë në Kosovë do t’u ndihmojë juristëve të diplomuar që të kenë program gjithëpërfshirës dhe të fitojnë njohuri praktike rreth administratës gjyqësore, fushave civile, penale dhe administrative.

​UNDP rol të rëndësishëm në Këshillin Gjyqësor

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe UNDP-ja kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi i cili do ta ndihmoj KGJK-në në harmonizimin e praktikave gjyqësore për efikasitet më të madh të gjykatave.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor Enver Peci tha se pa ndihmën e UNDP nuk kishin arritur këtu ku janë. Ai tha se në të ardhmen duhet të zhvillohen edhe praktika më të mira si për apelin ashtu edhe për Gjykatat.

Peci tha se shumë shpejt presin emërimin e 41 gjyqatarëve emrat e të cilëve i kanë dërguar tek presidentja për dekretim.

Ndërsa Alessandra Roccasalvo zëvendëspërfaqësuese e përhershme e UNDP-së tha se memorandumi zyrtarizon bashkëpunimin në harmonizimin e mëtutjeshëm të praktikave gjyqësore me qëllim të rritjes së efikasitetit të gjykatave dhe hartimin dhe zhvillimin e kurrikulës për programin e punës praktike të praktikantëve dhe trajnimit në punë.

“Është shumë e rëndësishme të ekzistojnë standarde, kurrikula, praktika për të ndërtuar njohuri dhe shkëmbyer ato me të diplomuarit dhe është shumë i rëndësishme mësimi akademik”, tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat