Kuvendi nesër diskuton për Festat Zyrtare, ja cilat festa kërkohet të hiqen nga kalendari

Kosova

Kuvendi nesër diskuton për Festat Zyrtare, ja cilat festa kërkohet të hiqen nga kalendari

Më: 5 maj 2015 Në ora: 13:59

Në seancën e nesërme të Kuvendit të Republikës së Kosovës pritet të diskutohet rreth kalendarit të festave zyrtare të Kosovës.
Sipas kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Kuvendi të mërkurën do të trajtojë Draft-Ligjin për Festat Zyrtare të Kosovës.
“Të mërkurën do ta kemi draft ligjin për festa zyrtare dhe pastaj do të procedojmë, tash do të shohim. Për këtë çështje vendosin deputetët”, tha Veseli.
Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashin, mirëpo deri më sot nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
Për festat zyrtare ka diskutuar edhe Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, në mbledhjen e 17 prill të këtij viti, i cili unanimisht pati votuar që ditët e festave zyrtare të cilat bien gjatë ditëve të vikendit të mos transferohen si ditë pushimi gjatë ditës së parë të punës së javës në vijim.
Sipas deputetes nga radhët e LDK-së, Alma Lama duhet të ndalet praktika e bartjes së ditëve të pushimit nga fundjava në ditët e punës. “Këto pushime të shumta po e bëjnë Kosovën një shtet dembel”, u shpreh Lama.
Ndërkaq, anëtarja e komisionit nga PDK, Xhevahire Izmaku ka thënë se për mënyrën si janë bërë me ligj, ditët e festave po e bllokojnë punën.
“Ne me të gjitha këto festa nuk e di se ju kemi me shku. Mundet me qenë festë zyrtare, por jo një ditë pushimi sepse po e bllokon mësimin dhe punën”, është shprehur Izmaku.
Ligji Nr. 03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, precizon se cila nga ditët e punës konsiderohen si festa zyrtare për të cilat duhet pushuar.
Dita e Evropës, 9 maji do të jetë në ditën e shtunë. Mirëpo sipas nenit 4 të këtij ligji, kur festat bien gjatë fundjavës, atëherë dita pasardhëse e punës është pushim.
“Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”, thuhet në nenin 4 të ligjit për festa zyrtare.
Deputetja Alma Lama në mbledhjen e 17 prillit pati propozuar që 1 maji, Dita e Punëtorëve, dhe 9 maji, Dita e Evropës, të largohen nga kalendari i festave.
Aktualisht në Kosovë kremtohen 11 festa zyrtare me 12 ditë pushimi në vit dhe tetë festa tjera në kategorinë e “ditëve memorialë” për komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat