Të mërkurën edhe më nxehtë, të enjten shtrëngatë me shi

Kosova

Të mërkurën edhe më nxehtë, të enjten shtrëngatë me shi

Më: 5 maj 2015 Në ora: 12:43

Vala e të nxehtit afrikan vazhdon të marshojë mbi rajonin tonë duke rritur edhe më tutje temperaturat mbi vlera normale që janë gjatë muajit maj. Në orën 10:30 temperatura është 24C, fryen erë jugperëndimore 1-2m/s, shtypja atmosferike mbetet stabile 1014mb. Gjatë ditës do të mbajë mot kryesisht me diell, ndërsa temperatura maksimale pritet të rritet deri në 28C-29C, raporton Prishtina Weather.
E mërkura do të jetë dita më e nxehtë e kësaj vale e të nxehtit, ku temperaturat do të rriten deri në 32C-33C (rreth 10C-12C më lartë se vlerat normale për muajin maj), ndërkaq moti do të jetë kryesisht me diell. Temperaturat minimale këtyre ditëve do të ngriten deri në 15C-17C. Era do të fryej nga jugperëndimi 1-3m/s.
Ditën e enjte një front i ftohtë nga veriperëndimi do të depërtojë mbi rajon dhe vendin tonë, duke sjellur përkeqësim të motit. Për shkak të ndeshjes së masave më të freskëta ajrore me masa më të nxehta mbi rajon, nëpër lokalitete priten edhe shtrëngata me shi, ku vende-vende reshjet mund të jenë më intenzive.
Temperaturat maksimale do të zbresin deri në 22-23C, ndërsa era do të ndryshojë drejtimin dhe do të fryejë nga verilindja 5-8m/s.
Ditën e premte do të mbajë mot kryesisht i kthjellët dhe me diell me temperatura maksimale rreth 23C. Të premten minimalet do të zbresin deri në 8C-9C. Era do të fryejë nga verilindja 3-5m/s.
Të shtunën do të ketë mundësi për reshje lokale shiu, ndërsa nga dita e diel sërish pritet përkeqësim i motit me vransira dhe të reshura, ndërsa temperaturat maksimale pritet të zbresin edhe nën 20C.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat