Asambleistet gjakovare vizituan Mitrovicën

Kosova

Asambleistet gjakovare vizituan Mitrovicën

Më: 4 maj 2015 Në ora: 16:56

Një delegacion i grave asambleiste nga Gjakova kanë qëndruar të hënën në Mitrovicë, ku janë pritur nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, zyrtarja për barazi gjinore, Besa Veseli dhe grupi i grave asambleiste të Kuvendit të Komunës.

Bahtiri gjatë takimit tha se më parë barazia gjinore nuk është trajtuar si duhet dhe Mimoza Kusarin e kemi të vetmen kryetare femër komune në Kosovë.

“Më vjen mirë që ajo është kryetare dhe me potencialin që ka besoj se ajo do të ngrihet në pozitë edhe më të lartë. Për mua vlera më e madhe është femra, e cila ka kontribuar para, gjatë dhe pas lufte, ndërsa kur ka qenë nevoja kanë rrokë edhe pushkët”, tha Bahtiri.

Ai shprehu dëshirën që gjinia femërore të jetë e barabartë me gjininë e kundërt, 50 me 50 për qind, si në poste vendimmarrëse, ashtu edhe në poste të tjera.

Në anën tjetër, gratë nga Gjakova prezantuan punën e tyre si grup i asamblisteve, duke potencuar se kur është në pyetje gruaja, ato nuk e njohin përkatësinë politike të tyre, por veprojnë si një trup i veçantë.

Edhe këshilltaret e Komunës së Mitrovicës folën për aktivitetet e tyre të deritashme, duke thënë po ashtu se ndarjet politike nuk reflektohen.

Ato u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy grupeve në sfera ku ka hapësirë për të bashkëpunuar në realizimin e projekteve të përbashkëta në të mirë të qytetarëve. /A.Damati/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat