​Vlora Çitaku dhe Leon Malazogu do intervistohen për ambasadorë

Kosova

​Vlora Çitaku dhe Leon Malazogu do intervistohen për ambasadorë

Më: 4 maj 2015 Në ora: 16:47

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i Komisionit, kanë shqyrtuar listën e organizatave parlamentare ndërkombëtare, në të cilat Kuvendi i Kosovës synon të anëtarësohet.

Ai ka theksuar rëndësinë që ka për Kosovën diplomacia parlamentare e vendit, e në këtë kontekst edhe anëtarësimin e legjislativit të vendit dhe të mekanizmave të tij në organizata ndërkombëtare që, siç ka theksuar ai, është edhe sugjerim i Parlamentit Evropian.

Edhe anëtarët e tjerë të Komisionit janë angazhuar për punë edhe më këmbëngulëse të Kuvendit dhe të institucioneve të tjera të vendit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ata kanë kërkuar që punonjësit profesional të Kuvendit ta begatojnë listën e organizatave ndërkombëtare rajonale, evropiane dhe botërore me elemente shtesë, si: mënyra e anëtarësimit ( si akt apo si proces i përmbushjes së standardeve të caktuara), koha e aplikimit dhe veprimet konkrete që duhen ndërmarrë për anëtarësim, si dhe raporti i forcave në ato organizata ndërkombëtare në favor të Kosovës.

Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, kanë shqyrtuar edhe një shkresë të ministrit të Punëve të Jashtme (në emër të Qeverisë së Kosovës) lidhur me dy kandidatë të propozuar për ambasadorë të Kosovës në SHBA dhe Japoni, përkatësisht Vlora Çitaku dhe Leon Malazogu.

Komisioni ka vendosur që, konformm ligjit, kandidatët e propozuar për ambasadorë t’i ftojë në dëgjim ( intervistë ) në Komision.

Po në takimin e sotëm të Komisionit për Punë të Jashtme është raportuar për vizitën zyrtare të tre anëtarëve të këtij komisioni në Republikën e Çekisë, si dhe janë sheshuar vizita të tjera në parlamente të ndryshme të botës, si dhe pritje të delegacioneve të komisioneve homologe parlamentare në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat