Gjendje alarmante e lirisë së shprehjes në Kosovë

Kosova

Gjendje alarmante e lirisë së shprehjes në Kosovë

Më: 4 maj 2015 Në ora: 16:33

Liria e medias në Kosovë vazhdon të përkeqësohet çdoherë e më tepër. Këtë e dëshmon rënia për dy pozita në raportin e organizatës “Freedom House”, të publikuar ditë më parë. Ndërsa, portalet janë ato që krijohen pa kurrfarë kontrolli dhe publikojnë shkrime joprofesionale.

Pozitën e keqe të lirisë së mediave e theksuan edhe përfaqësues të OSBE-së, të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe kryeredaktorë të mediave në një diskutim rreth lirisë së shprehjes në Kosovë, sipas të cilëve gjendja aktuale është alarmante.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekrija Shabani tha se gjendja me të cilën përballen sot gazetarët në Kosovë, më nuk përbën shqetësim por është alarmante.

“Sfidat janë të mëdha, saqë dje neve na kanë qit në rrugë. Kemi parë që me letra, me ankesa zyrtare, me ngritje të zërit, nuk janë të mjaftueshme për t’u bërë me dije institucioneve dhe gjithë këtyre që liria e shtypit në përgjithësi, me u bë me dije që gjendja është alarmante, nuk është vetëm shqetësuese por e tejkalon këtë. Gazetarët punojnë në kushte të rënda, gazetarët përballen me kërcënime, gazetarët përballen me gjendje të rëndë si në vendet e tyre të punës, ashtu edhe në teren, ku aty te burimet e informacionit”, tha Shabani.

Ai kërkoi nga kolegët gazetarë që të mos heshtin për kontratat e punës, për vonesat në paga dhe për pengesat që u bëhen nga pronarët e tyre.

Drejtori i Departamentit të Demokratizimit të OSBE-së, Christopher Tuetsch, tha se mediat në Kosovë ende konsiderohen vetëm pjesërisht të lira.

“Dua të theksoj se shtypi në Kosovë, mediat në Kosovë, ende vlerësohen si pjesërisht të lira në raportet ndërkombëtare pavarësisht nga progresi i raportuar dhe i bërë raporti i fundit Freedom House, i publikuar javën e kaluar, më 29 prill, i cili thekson sfidat për lirinë e mediave në Kosovë në disa gazetarë, reporterë të mediave të sulmuar gjatë kryerjes së detyrave të tyre”, tha Teutsch.

Kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami, në këtë diskutim përmendi katër kërcënime me të cilat përballen gazetarët nga Kosova.

“Kërcënimi i parë i madh mendoj që është sistemi demokratik i cili këtu nuk është funksional, do të thotë demokracia ekziston në letër por nuk ekziston në realitet... Kërcënimi i dytë i madh është derivat i të parit. Në një sistem jo fort demokratik ajo që ne i themi elita politike... pra sistemi politik është i tillë që e pamundëson edhe më shumë lirinë ose e kërcënon ...Faktori i tretë apo kërcënimi i tretë që unë e shoh këtu si shumë serioz është vetë bashkësia ndërkombëtare...Faktori i pestë janë vetë mediat” tha Bajrami.

I pranishëm në këtë diskutim ishte edhe Budimir Nicic, redaktor nga Asociacioni i Gazetarëve serbë në Kosovë, i cili tha se liria e mediave në Kosovë është e cenuar dhe gradualisht Kosova po merr një pozitë edhe më të rëndë.

“Ashtu siç janë mediat të shumëllojshme, ashtu janë edhe problemet e mediave dhe të gazetarëve. Kemi gazetarë, të cilët në fund të muajit, nuk duan të brengosen se a do të marrin pagën, bile edhe pagën e majme, pra flas për mediat që financohen nga buxheti. Deri tash në shumicën e mediave serbe apo të gazetarëve në fakt janë në gjendje shumë të keqe materiale. Siç dihet ata mbijetojnë dhe jetojnë me ndihmën e donacioneve, kryesisht donacioneve ndërkombëtare, pastaj me ndihmën e disa projekteve të vogla të cilat zgjasin 2-3 muaj”, tha Nicic.

Ndërsa nga Kuvendi i Kosovës, i pranishëm ishte deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, i cili tha se gjendja e tanishme duhet të ndryshojë. Por kjo gjendje nuk mund të ndryshojë me diskutime por duke vënë rregulla që sanksionojnë fushat e ndryshme.

“Unë takoj mjaft gazetar që me muaj të tërë nuk paguhen, dhe bosët e tyre i orientojnë në shërbim të politikës ditore që aty mendoj që gjithë ajo nëse mendojmë për një profesionalizëm dhe një pavarësi të mediave e kemi kot dhe këtë duhet ta ndryshojmëurgjentisht. Ajo tjetra është presioni nga politika nga partitë e ndryshme dhe kjo duhet të ndryshojë. RTK derisa financohet nga parlamenti i Kosovës, mendoj që deshe s’deshe janë të varur nga politika dhe kjo qasje duhet të ndryshojë. Mendoj që nuk mund të ndryshohet me konferenca, me takime por duke vënë rregulla dhe duke bërë ligje që sanksionojnë fusha të ndryshme”, tha Lekaj.

Ai po ashtu tha se pa siguri financiare të mediave, çdoherë do të ketë presion dhe shantazhe nga njerëzit e pushtetit që udhëheqin mediat.

Ndryshe, të pranishmit thanë se shumica e punës joprofesionale vjen nga portalet të cilat me zero staf, dëmtojnë ekonomikisht mediat tjera serioze, si dhe krijohen për misione të caktuar, siç është linçimi i figurave të ndryshme publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat