Gjyqtarët e Supremes kërkojnë veprime në Pallatin e Drejtësisë

Kosova

Gjyqtarët e Supremes kërkojnë veprime në Pallatin e Drejtësisë

Më: 4 maj 2015 Në ora: 15:55

Gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës, në mbështetje nga kryetari i kësaj gjykate, Fejzullah Hasani, kërkojnë nga Ministria e Administratës Publike (MAP), nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), që urgjentisht të ndërmarrin veprime përkitazi me gjendjen e rëndë në Pallatin e Drejtësisë, e krijuar si pasojë e mungesës së kushteve elementare për jetë.

“Si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të ajrimit, (gjë që është dëshmuar edhe me raportin e Inspektoratit Sanitar të Kosovës), gjyqtarët e Gjykatës Supreme gjatë qëndrimit ditor në zyrë ndjejnë marramendje, dhimbje koke, molisje dhe simptoma të tjera të ngjashme, të cilat nuk u janë manifestuar më parë”, thuhet në një komunikatë për media të kësaj Gjykate.

Në lidhje me këtë gjyqtarët kërkojnë ndërmarrjen e hapave urgjent për sanimin e kësaj gjendjeje të papranueshme, e cila po rrezikon shëndetin e gjyqtarëve dhe stafit të gjykatës.

“Si pasojë e mosfunksionimit të duhur të liftave, jeta e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës u rrezikua disa herë në këtë pallat, brenda një periudhe të shkurtër, prej kur jemi vendosur këtu. Që nga rasti i fundit, liftat janë jashtë funksionit dhe nuk shohim askënd që punon në rregullimin e tyre”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, nga raporti i Inspektoratit Sanitar të Kosovës i datës 23 prill 2015, del se ky objekt nuk e ka pasur as pëlqimin sanitar për lokacionin ku është ndërtuar; ky objekt nuk e ka pëlqimin sanitar për pranimin në aspektin e kushteve sanitare-teknike dhe hixhenike.

Raporti në fjalë, ka konstatuar se sistemi i ajrosjes nuk funksionon në të gjitha hapësirat e objektit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat