Javën e ardhshme mund të diskutohet për gjykatën speciale

Kosova

Javën e ardhshme mund të diskutohet për gjykatën speciale

Më: 4 maj 2015 Në ora: 14:00

(E plotësuar) Edhe këtë javë Kuvendi i Kosovës nuk do të ketë në agjendë amendamentet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Kjo pasi Komisioni për Legjislacion ende nuk i ka shqyrtuar për t’ia dhënë dritën jeshile kryesisë, e cila më pas e dërgon në seancë plenare.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli nuk jep ndonjë afat se kur mund të dalin në seancë parlamentare, por thotë se duhet të ruajnë konsensusin institucional rreth kësaj çështje.

Megjithatë, i pyetur nëse javën e ardhshme mund të diskutohen në Kuvend, kreu i legjislativit tha se javën e ardhshme pritet kohë më e mirë, por duke mos theksuar qartë nëse mund të diskutohen në seancë apo jo. Derisa, mohoi se mund të ketë presion rreth kësaj çështje.

“Pritet javën e ardhshme kohë më e mirë edhe të shikojmë, ne do të procedojmë në bazë të institucioneve. Ajo që është kryesore çdo vendim që do të marrim do të jetë shumë transparent dhe ju do ta dini po ashtu si ne. Edhe një herë e thash kemi proceduar në Komision për Legjislacion, në momentin që marrim nga ta dritën jeshile, ne do të procedojmë....S’ka presion, përkundrazi ka partneritet shumë të mirë, ka komunikim besoj se do të kemi komunikim”, theksoi Veseli.

Ai pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit tha se ata janë duke e pritur përgjigjen e Komisioni për Legjislacion deri t’i shqyrton amendamentet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, në mënyrë që ata të procedojnë më tutje.

“Po në fakt ne kemi marr si Kuvend përgjigjet pozitive nga Gjykata Kushtetuese, tani kemi proceduar edhe të komisioni parlamentar, presim një shqyrtim edhe nga Komisioni dhe pastaj do të procedojmë. Ajo çka është kryesore, e theksoj është që të ruhet konsensusi nacional sa përket kësaj dhe në të njëjtën kohë të ruhet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare...Jemi duke i respektuar të gjitha procedurat, jemi shtet i pavarur, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë shumë të përgjegjshëm. Është një herë ta ruajmë konsensusin nacional dhe ta ruajmë e thellojmë partneritetin me partnerët ndërkombëtarë me të cilët kemi ardhur deri këtu”, tha Veseli.

Në seancën e së enjtes në rend dite do të jetë edhe peticioni i qytetarëve kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, për të cilën Veseli tha se unanimisht e kanë renditur këtë pikë, menjëherë pas shqyrtimit të projektligjeve.

“Po është pikë e rendit të ditës, me unanimitet të plotë e kemi bartur kah mesi i pikave të rendit të ditës pas shqyrtimit të projektligjeve, do të jetë edhe debati kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike”, shtoi Veseli.

Kreu i Kuvendit ka folur edhe rreth punës së kryediplomatit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilin ka pasur fjalë të mirë, duke thënë se ka rezultate dhe ato tashmë po shihen.

“Në fakt diplomacia jonë është duke punuar në mënyrë intensive dhe rezultatet po shihen. Vet fakti që procesi i MSA-së i cili do të përmbyllet me dhënien e dritës jeshile nga Komisioni Evropian. Shumë shpejt do të kemi, edhe lëvizje të lirë të qytetarëve tanë, liberalizmin e vizave. Kemi veprime intensive veçanërisht në fushën e integrimeve evropiane në kuadër të mekanizmave ndërkombëtarë, thjeshtë diplomacia jonë është duke punuar shumë mirë, veç duhet ta inkurajojmë dhe të punojmë me tutje”, tha ai.

Këtë javë do të mbahen tri seanca plenare, të mërkurën, të enjten dhe të premten, meqë janë 31 pika për t’u shqyrtuar, ndër to 14 projektligje, disa raporte të agjencioneve të pavarura dhe peticioni i qytetarëve kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

​Gjykata Speciale as këtë javë nuk do të diskutohet në Kuvend

Edhe pse Kuvendi i Kosovës këtë javë do t’i mbajë dy seanca plenare nuk do ta ketë në rend dite Ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale.

Kështu u vendos sot gjatë mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ku për shkak të vonesave është vendosur që të mbahen dy seanca këtë javë.

Shumë pika, projektligje dhe raporte do të shqyrtohen të mërkurën dhe të enjten.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, tha se janë duke vepruar në bazë të ligjit dhe posa të miratohen nga komisioni funksional do ta procedojnë në seancë plenare edhe Ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale.

Sipas Veselit do të ishte mirë që javën e ardhshme të diskutohej në Kuvend ligji për Gjykatën Speciale por nuk e dinë saktë se a do ndodh kjo apo jo.

Veseli tha se është mirë të jenë të përgjegjshëm dhe ta ruajnë konsensusin institucional ndaj kësaj çështje.

Gjatë këtyre dy seancave në shqyrtim do të jetë edhe peticioni i qytetarëve për ngritjen e energjisë elektrike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat