Haziri: Me pushkën e tij, Agim Ramadani e shkuli gurin ndarës të shqiptarëve

Kosova

Haziri: Me pushkën e tij, Agim Ramadani e shkuli gurin ndarës të shqiptarëve

Më: 3 maj 2015 Në ora: 19:41

Manifestimi treditor tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2015”, i cili i kushtohet figurës së dëshmorit të kombit Agim Ramadani, ka kulmuar sot me tubimin qendror në fshatin Zhegër të Gjilanit, me një pjesëmarrje masovike të mbi 5000 qytetarëve nga mbarë trojet shqiptare.

Në ngjarje ka qenë i pranishëm kryetari Lutfi Haziri, kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, nënkryetari Rexhep Kadriu si dhe deputetë, bashkëluftëtarë të dëshmorit e përfaqësues nga jeta politike, institucionale e kulturore.

Haziri tha se Agimi me luftë, me kushtrim, me pushkën, me penën dhe me brushën e tij, u bë i pavdekshëm.

“Sot në “Ditët e Agimit” ne shënojmë ditëlindjen tij edhepse Agimi me luftën, me kushtrimin, me pushkën, me penën dhe me brushën e tij, u bë i pavdekshëm. Secili prej neve e dëshiron një pavdekësi të tillë. Agim Ramdani, në të gjitha format ashtu siç edhe ne i shënojmë këto ditë, edhe me kulturë edhe me poezi edhe me pikturë dhe me fjalët e tij, e mbi të gjitha, me shembullin e tij, bëri që të nderohet Karadaku, Zhegra, Kosova, atdheu dhe shqiptarët kudo që jetojnë”, tha Haziri.

Kreu i Komunës theksoi se Agim Ramadani theu kufirin shqiptaro-shqiptar dhe guri ndarës u shkul me pushkën e tij.

“Agimi na ka bërë bashkë sot të gjithëve, djem e vajza, burra e gra, pleq e plaka, për ta nderuar një vepër të madhe të një kryengritësi, i cili është pasues i Idriz Seferit. Agim Ramdani theu kufirin shqiptaro-shqiptar dhe guri ndarës u shkul me pushkën e tij. Në emër të Komunës së Gjilanit më lejoni që ta nderoj çdokënd që ka qenë përkrah Agimit, siç është familja e tij, bashkëluftëtarët e tij, veteranët dhe të gjitha ata që kontribuuan për lirinë. Kushtrimi i Agimit nuk ka shkuar deri në vend, deri në atë shkallë sa të bëhemi bashkë të gjithë. Kushtrimi i tij na thërret çdo ditë që ta gëzojmë pavarësinë dhe bashkimin e shqiptarëve”, është shprehur kryetari Haziri.

Në emër të Brigadës “138 Agim Ramadani” ka folur Feriz Trezhnjeva, i cili ka evokuar kujtime për dëshmorin Agim Ramadani.

“Njerëzit e mëdhenj kanë vetëm një ditëlindje dhe Agim Ramadani ka vetëm një ditëlindje, atë që e festoni ju Zhegra, Gjilani dhe mbarë Kosova. Unë kam pasur kënaqësinë që ta njoh të madhin Agim Ramadani kur në Betejën e Koshares ishte prijësi i kryesor dhe së bashku me Sali Çekun dhe shokët e tij, padrejtësinë e vitit 1913 e përmirësoi duke e hequr gurin e kufirit dhe duke zhvilluar luftën m’u aty”, tha Trezhnjeva.

Në emër të familjes Ramadani të pranishmit i ka përshëndetur vëllai i Agimit, Jashar Ramadani, i cili u zotua se, si familje, do të vazhdojnë ta japin kontributin dhe përkrahjen e përbashkët në interes të të gjithë qytetarëve.

Në këtë tubim u ndanë edhe kupat për fituesit e turneve që janë mbajtur për tre ditë. Kupën fituese për ekipin e shkollës së mjekësisë në Gjilan “Allan Elezi” e dorëzoi kampioni i boksit Erzen Rrustemi, ndërsa kupën për vendin e parë (Alban Haziri) në garën “Vrapimi i Lirisë” nga varri i Idriz Seferit e deri tek kroi i Agim Ramadanit, e dorëzoi kampioni tjetër i boksit Nuri Seferi.

Ndërkaq, poetes Edona Haliti, e cila triumfoi në orën e madhe letrare “Muza e Agimit”, ia dorëzoi mirënjohejn shkrimtari i mirënjohur nga Zhegra, Ibrahim Kadriu, ku ky i fundit u nderua nga shoqata kulturore “Ditët e Agimit” në 70 vjetorin e lindjes dhe në 50 vjetorin e krijimtarisë së tij.

Tubimi është përmbyllur me një program të pasur kulturor-artistik, ku performuan këngëtarët: Ismet Bexheti, Gold AG, Edona Llaloshi, Labinot Tahiri si dhe grupe të tjera muzikore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat