​Shkollat fillore e të mesme nesër rifillojnë mësimin

Kosova

​Shkollat fillore e të mesme nesër rifillojnë mësimin

Më: 3 maj 2015 Në ora: 15:38

Mbledhja e sotme e jashtëzakonshme e SBAShK-ut kaloi plot tension. Megjithatë ajo rezultoi me marrjen e vendimit që greva në arsimin fillor dhe të mesëm të ndërpritet. Kështu, nesër më 4 maj 2015, nxënësit dhe mësimdhënësit në të gjithë Kosovën do t’i kthehen mësimit, ani pse disa përfaqësues të mësimdhënësve komunal votuan për vazhdimin e grevës. Sepse, sipas tyre, qeveria nuk ka dhënë asnjë garancë për përmbushjen e kërkesave të tyre.

Por, ata të arsimit universitar do të vazhdojnë grevën, veçse nesër do të mbajnë takim prej të cilit edhe mund të dalë ndonjë vendim për vazhdimin ose ndërprerjen e grevës në UP. Sipas të dhënave nga komisionet komunale të cilat kanë bërë verifikimin e pagave të muajit prill, del që në pjesën më të madhe të listave ka gabime në llogaritjen e viteve të punës. Kjo ka bërë që tani të formohet një komision nga SBAShK-u, Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave, për të bërë përmirësimin e këtyre gabimeve.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të SBAShK-ut, të mbajtur sot, nga kryesuesi i saj, u propozua që greva të pezullohet. Megjithatë, u tha që ajo mbetët mundësi, që nëse nuk bëhen përmirësimet e listave të muajit maj, atëherë do të veprohet sipas situatës.

Jasharaj: Të pezullohet greva

“Kryesia e SBAShK-ut, duke parë edhe situata, duke u bazuar edhe në apelin që po na drejtohet vazhdimisht nga prindërit e nxënësit, dhe duke ditur se për maturantët veç është gati në përfundim ky vit mësimor, Kryesia e SBAShK-ut, edhe pas konsultimit edhe pas humb takimeve që i kemi pasë këtyre ditë të vikendit me ju kolegë dhe kolege, konsideron dhe iu propozon që pas këtyre vështirësive, pas këtyre përpjekjeve të SBAShK-ut, megjithatë ka arritje të konsiderueshme dhe i propozon Këshillit Drejtues pezullimin e veprimeve sindikale, që do të thotë se në arsimin parauniversitar, iu propozojmë pra që të hënën me 4 maj të rifillojë mësimi i rregullt”, tha ai.

Por, Jasharaj nuk gjeti mbështetjen e të gjithë përfaqësuesve komunalë. Veçmas të Prishtinës dhe Klinës. Ata kërkuan që greva të vazhdohet.

Ahmet Pllana nga komuna e Prishtinës tha se derisa ende nuk ka rezultate, greva duhet të vazhdoj.

Pllana: Greva duhet të vazhdoj

“Nuk e ditëm se çfarë biseda keni bërë më ministrin e arsimit, çka ka reflektuar nga ministria e arsimit, a ka ndonjë garancë që ne të vazhdojmë mësimin. E di që është keq që në përfundim të vitit të shkohet në grevë, mirëpo ma merr mendja që më mirë është tash që të vazhdojmë grevën sesa pas dy tre dite apo muajin tjetër të hyjmë në grevë, sepse më shumë po afrohemi tek fundi i vitit shkollor, tha ai.

Megjithatë, me t’u hedhur në votim, propozimi i SBAShK-ut për pezullim të grevës mori pëlqimin e shumicës. Derisa në Universitetin e Prishtinës greva po vazhdon.

Bardh Bardhi, përfaqësues i SUShK-së, shprehu qëndrimin e këshillit grevist në UP, në të cilin u tha se greva nuk mbyllet deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Bardhi: Greva nuk ndërpritet deri në plotësimin e kërkesave

“Në mbledhjen e mbajtur të këshillit qendror grevist të njësive akademike të UP-së, të mbajtur më 30 prill 2015, njofton se greva e shpallur në SBAShK vazhdon deri në plotësimin e kërkesave nga ana e Këshillit drejtues të UP-së, meqë Këshilli Drejtues i UP-së dhe Rektorati nuk kanë reflektuar lidhur me kërkesat tona”, tha ai.

Megjithatë, nesër pritet të mbahet një takim me këshillin drejtues të grevistëve në UP dhe prej aty do të dalë ndonjë vendim se çfarë do të ndodhë më tutje.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot nga SBAShK, u tha se në llogaritjet e bëra për pagat e muajit prill, janë vërejtur shumë gabime. E kjo gjë ka revoltuar në masë të madhë grevistët.

Jasharaj: Ka gabime në llogaritje

“Komisionet kanë raportuar nga komunat se gabimet në llogaritje janë nga tre deri në shtatë vite minus, por ja që kanë gjetë edhe raste kur individëve të caktuar, pa i njohur, u janë shënuar e llogaritur më shumë vite sesa që kanë në të vërtetë. Prandaj SBAShK, në përpjekje që këto gabime të mënjanohen, është takuar edhe sot me ministrin e arsimit, dhe janë dakorduar që ë formohet një komision i përbashkët, MAShT, SBAShK, MEF, për t’i evidentuar këto gabime”, tha ai.

Jasharaj tha se fillimisht në listat e para ishin të përfshirë, 19 mijë të punësuar në arsimin parauniversitar, ku 10 mijë ishin mbetë jashtë këtyre listave. E tani, në listat e reja, sipas tij, janë 28 mijë e më shumë të përfshirë.

Greva e përgjithshme e nisur nga SBAShK-u filloj më 20 prill në të gjitha institucionet shkollore të arsimit fillor, të mesëm e universitar. Në nisjen e saj, u tha se ajo nuk do të përfundojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, që ishte realizimi i shumës 0.5 për qind të përvojës së punës.

E tani, me gjithë mos pajtueshmëritë mesë grevistëve e institucioneve përkatëse, ajo u pezullua për arsimin fillor e të mesëm. Derisa për universitet do të vendosët në ditët në vazhdim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat