KEDS-i duhet t'i paguaj komunës qiranë për shfrytëzimin e pronës së saj

Kosova

KEDS-i duhet t'i paguaj komunës qiranë për shfrytëzimin e pronës së saj

Më: 3 maj 2015 Në ora: 14:09

Kuvendit komunal të Ferizajt në seancën e fundit jo pak punë i ka dalë edhe me KEDS-in. Ndonëse kjo e fundit po kërkon hapësira publike për vendosjen e trafove të rrymës në pronat e komunës, këshilltarët e kuvendit i kanë kërkuar kryetarit të Ferizajt që edhe kjo kompani siç thanë private të mos përjashtohet dhe të paguaj qiranë për shfrytëzimin e hapësirave publike bazuar në rregulloren e kuvendit të Ferizajt.

Këshilltarët komunal pa përjashtim ishin te mendimit se kjo kompani duhet t'i paguaj komunës qira për shfrytëzimin e pronës së saj, ndërsa pati edhe mendime se kjo kompani përmes ndërprerjes së rrymës po i përdor qytetarët për presion ndaj institucioneve lokale të pushtetit.

Këshilltari i PDK-së, Mustafë Grainca, ka thënë se KEDS-i është kompani private që gjeneron profit dhe si e tillë duhet të paguaj për shfrytëzimin e tokës së komunës.

"Duhet të zbatohet rregullorja për dhënien e pronës në shfrytëzim. Kësaj radhe kërkesa është për dy trafo ndërsa në tërë territorin e komunës ka shumë trafo dhe natyrisht do të ketë shumë kërkesa të kësaj natyre. Duhet zbatuar rregullorja sikurse për ndërmarrjet tjera", ka thënë Grainca.

Edhe Izet Rushit, nga AAK-ja ka vë në dukje se kuvendi duhet t'i caktojë një parcelë KEDS-it ashtu siç ka kërkuar për vendosjen e trafove, ama duhet që të paguaj për shfrytëzimin e pronës së komunës."KEDS-i në asnjë rrethanë nuk guxon më përdorë shantazhin ndaj qytetarëve si presion ndaj institucioneve të pushtetit. KEDS-i e ka me ligj të paraparë furnizimin e qytetarëve me rrymë. Ne jemi të thirrur që t'i ndajmë tokën ndërsa ajo duhet të paguaj për shfrytëzimin e saj", tha Rushiti.

Në anën tjetër drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mjedis, Faik Grainca, ka thënë se nëse nuk i lejohet KEDS-it hapësira e kërkuar, kjo e fundit do t'i lë qytetarët pa rrymë dhe do të arsyetohet me atë se komuna nuk po bënë zgjidhje për përmirësimin e kushteve të furnizimit.

"Kështu që do të kemi ankesa nga qytetarët se gjoja komuna po i bllokon investimet e KEDS-it në përmirësimin e furnizimit me rrymë", ka potencuar Grainca, i cili Kuvendit i ka adresuar edhe çështjen e vendosjes së orëmatësve të rrymës nëpër shtylla pa ndonjë kriter dhe që po paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.

"Ata po na thonë se as nuk i heqim e as nuk paguajmë qira. Kjo çështje duhet që të zgjidhet në nivelin qendror", është shprehur Faik Grainca.

Kësaj dileme i ka vë kapak kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, duke thënë se duhet gjendur një kompromis në të mirë të qytetarëve për faktin se i nënshtrohemi një monopoli në këtë drejtim e që na sjellë në një situatë të këtillë.

"Të bëjmë kompromis në të mirë të qytetarëve me një qira simbolike ngase pa këtë kompromis nuk ka mundësi që të realizohen projektet në këto dy rrugë", ka thënë Sfarqa.

N mbledhjen e kuvendit pati dhe mendime tjera se ligji në rrethana të veçanta i lejon kompanisë të sillet sipas kërkesave në teren, por që u kundërshtuan nga shumica duke thënë se trafot nuk paraqesin ndonjë situatë të veçantë.

Se a do t'i paguaj KEDS-i qira komunës për shfrytëzimin e pronës së saj mbetet të shihet kur të analizohen të hyrat e komunës nga qiratë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat