Liria e munguar e shtypit! Vrasjet e pazbardhura të gazetarëve!

Kosova

Liria e munguar e shtypit! Vrasjet e pazbardhura të gazetarëve!

Më: 3 maj 2015 Në ora: 10:57

Liria e shtypit në Kosovë sot kujtohet me një ceremoni të thjeshtë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilën e kanë zgjedhur ta quajnë, “Fol mos u tutë”. Por, ky asociacion ka harruar se në Kosovë janë vrarë disa gazetarë, ndërsa familjet e tyre kurrë nuk janë kujtuar po nga ky Asociacion.
Kjo shoqatë dhe të tjera të gazetarëve nuk kanë bërë gjënë e duhur për të krijuar klimë apo presion për të arritur deri tek zbardhja e vrasjeve. Ndërkohë, që presioni dhe kërcënimet ndaj mediave duket se janë rritur edhe më.
Edhe Qeveria sot e ka kujtuar lirinë e shtypit, por pa premtimin për zbardhjen e vrasjeve për gazetarët, përkatësisht pa inkurajimin e drejtësisë që të arrijë tek e vërteta dhe gjykimi i fajtorëve.
I pari gazetar i vrarë në Kosovë ishte Enver Maloku në vitin 1999, gjatë luftës, në kohën që sikur po bënte mrekulli nëpërmjet botimit të “Informatorit”, të cilin po e botonte edhe pasdite, përveç se ishte me informacione të shumta dhe ishte si buletin, përcillte zhvillimet duke i komentuar dhe ndikuar në krijimin e opinionit publik shqiptar. Duke qenë i afërt dhe bashkëpunëtor i presidentit Rugova, ai do të qëllohej për vdekje me 11 janar 1999 teksa po kthehej në banesën e tij, për t’ua dërguar ushqimin familjes, dhe që sërish të kthehej në punë në zyrat e Qendrës për Informim të Kosovës, shef i së cilës ishte.

Enver Maloku u lind në fshatin Bradash të komunës së Podujevës më 1954. Shkollën fillore e kreu në Bradash e Bajçinë, gjimnazin në Podujevë, kurse studimet për letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Një kohë ka punuar arsimtar në shkollën fillore të Bradashit, kurse prej vitit 1979 ka punuar në Televizionin e Prishtinës, në programin e kulturës. Enver Maloku, gazetari kryesor i kulturës në Televizionin e Prishtinës, para se ky të mbyllej nga pushtuesi serb më 1990, u bë në vitet nëntëdhjetë gazetari kryesor politik në Kosovë. Fillimisht ka punuar si gazetar/redaktor, ndërsa nga vitit 1993 ka qenë udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës, e cila, nga themelimi më 1991, kreu punën e agjencisë kombëtare të lajmeve.
Në shenjë nderimi për veprimtarinë e tij më 12 korrik 2005 në Prishtinë i është ngritur një përmendore, ndërsa edhe një rrugë në ndërtim, që lidh Bregun e Diellit dhe Matin 1 mban emrin e tij.
Enver Maloku ishte bashkëpunëtor i presidentit Rugova, dhe puna e jashtëzakonshme në informim është motivi kryesor që çoi në kryerjen e atentatit ndaj tij, për ta thyer fuqinë politike dhe informative të Presidentit Rugova.
Ende pa kaluar dy vjet, në një situatë të ndjeshme politike, kur LDK-ja e udhëhequr nga presidenti Rugova po shënonte fitore të jashtëzakonshme në zgjedhje, vritet njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij.

Shefki Popova, është kolegu ynë i vrarë me 10 shtator të vitit 2000, në Vushtrri, ndërsa ishte gazetar i “Rilindjes”. Ai kishte punuar për rreth 26 vjet në këtë gazetë, duke u shquar për korrektësi profesionale dhe virtuozitet. Ai u vra në moshën 50 vjeçare, sapo në Prishtinë ishte mbajtur atyre ditëve një manifestim kundër dhunës. Besohet se ai kishte informacione të rëndësishme, dhe se ishte eliminuar pikërisht që ato të mos bëheshin publike.

Xhemajl Mustafa u vra me 23 nëntor të vitit 2000, derisa po kthehej, po ashtu si miku i tij i dikurshëm Enver Maloku, me të cilin kishte punuan në Qendrën për Informim të Kosovës, nga puna në shtëpi, vetëm pak metra para se të arrinte në banesë në lagjen “Santea”, ku e kishte mbijetuar luftën, madje duke i kushtuar edhe një libër, “Lutje për Prishtinën”. Mustafa u vra pas fitores së thellë të LDK-së në zgjedhjet e para lokale të pas luftës të mbajtura në tetor. Mustafa konsiderohej dora e djathtë e presidentit Rugova. Mustafa në atë kohë ishte bashkëpunëtor edhe i gazetës “Bota sot”.
Vrasja e Mustafës ishte tronditëse për shoqërinë tonë, pasi ai njihej për dashamirësinë e thellë njerëzore, humanizmin e thellë, maturinë politike e intelektuale, dhe po ashtu mbetet një prej ikonave të gazetarisë shqiptare, një prej vrasjeve më të përfolura se mund të zbardhet, madje edhe nga vet prokurori Aleksander Lumezi, që tash ndodhet në krye të prokurorisë së shtetit.
Po ashtu vrasja e tij qe konsideruar politike edhe nga media botërore.

Bekim Kastrati, kolegu ynë në “Bota sot”, gati 14 vjet më parë u vra në një pritë, më 19 tetor 2001, së bashku me Besim Dajakun, truprojë i Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ku mbeti i plagor edhe Gani Geci.
Bekim Kastrati në vazhdimësi ishte nën presion dhe kërcënim nga e majta që qeveriste në Skenderaj, por edhe nga ata që kishin pozicione më të rëndësishme në nivel vendi, për shkak se u pengonte liria e medias dhe guximi i Bekimit.
Bekimi u shqua për guximin e pashembullt, duke ndihmuar të vërtetën për Kosovën në një zonë të shtrënguar si në rrethim, siç ishte Skenderaji i atyre viteve, që nuk lejonte demokraci apo shprehje të lirë.
Ai la pas vetes dy vajza, Vesën dhe Erën, e cila lindi pas shkuarjes në amshim të Bekimit.

Bardhyl Ajeti, është kolegu ynë i “Bota sot” i vrarë në qershorin e vitit 2005, gazetar dhe kolumnist. Atëherë kur besohej se era e vrasjeve politike ishte mbyllur. Ai ishte qëlluar me 3 qershor në një atentat në veturën e tij të prishur, ndërsa po e tërhiqte një automjet tjetër (kombi), në afërsi të Bresalcit, të Gjilanit. Bardhyli iu mbijetoi plagëve për disa javë, por ato ishin vdekjeprurëse dhe me 28 qershor ndërroi jetë në një spital të Milanos ku po mjekohej.
Bardhyli njihej për shkrimet e tij publicistike në funksion të lirisë së shprehjes duke alarmuar në vazhdimësi për qendrat e dyshimta të krimit, dhe për përpjekjet për zbardhjen e vrasjeve politike. Atentati ndaj ia ndërpreu krijimin e familjes, pasi kishte disa muaj që ishte fejuar, dhe mendonte së shpejti të bëhej dhëndër.
Para luftës, në Shqipëri është vrarë gazetari Ali Ukaj, që po ashtu i bashkohet listës së gjatë të vrasjeve politike, dhe që të gjitha thuaja të pazbardhura. BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat