Të armatosur deri në dhëmbë

Kosova

Të armatosur deri në dhëmbë

Më: 3 maj 2015 Në ora: 09:24

Armëmbajtja pa leje dhe përdorimi i tyre nëpër ahengje dhe “shenjëtari” vazhdon të mbetet shqetësim për qytetarët e Kosovës dhe për autoritetet vendore.
A.Z. tradicionalisht ka mbajtur një armë në shtëpinë e tij.

Ai thotë se edhe para tij, babai dhe gjyshi kanë mbajtur armë ilegale, prandaj e konsideron si traditë mbajtjen e një pushke në shtëpi.

“Nga Lufta e Dytë, babai ka mbajtur pushkë të konservuar nën shkallët e drurit në shtëpinë e vjetër. Në luftën e UÇK-së e kemi nxjerrë dhe ka qenë jashtëzakonisht e përdorshme. Prandaj sa e kemi ‘dreqin kojshi’ pushkën gati duhet ta kemi”, deklaroi plaku 60-vjeçar, i cili thotë se asnjëherë nuk ka gjuajtur me të, edhe atëherë kur i ka fejuar e martuar djemtë.

“Pushka që nxirret në çdo aheng, nuk është e jotja. Prandaj si të tillë do ta mbajë”, thotë A.Z, i cili në shtëpi mban edhe një çifte, me leje të Policisë.

Ndryshe, në bazë të të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbi 5700 qytetarë të Kosovës kanë leje për mbajtjen e armëve, ndërsa numri i atyre që mbajnë armë “pa leje” është shumëfishë më i madh.

Derisa Policia ka konfiskuar mijëra armë pa leje gjatë viteve të fundit, numri i armëve që vazhdojnë të mbeten nëpër duart e qytetarëve është shumë i madh. Nga përdorimi i këtyre armëve dhe plumbat “rikoshet”, shpesh bien preh fëmijët nëpër shkolla, dasmorët, kalimtarët e rastit... Ndërsa raportohet se shumë armë të vogla janë prezentë edhe tek nxënësit e shkollave të mesme.

Sipas një statistike, Policia e Kosovës ka konfiskuar në dymbëdhjetë vjetët e fundit 18.846 armë ilegale, ndërsa vetëm në vitin 2014 janë konfiskuar 1318 armë dhe 37211 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) kërkon dhënien e lejeve të armëve qytetarëve që ndihen në rrezik, sipas ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat