Gërmohet në Llaushë, EULEX gabon sërish

Kosova

Gërmohet në Llaushë, EULEX gabon sërish

Më: 28 prill 2015 Në ora: 20:30

Hetimet dhe puna gërmuese e EULEX-it në Llaushë duket se kanë shkuar huq, pasi që personat që u zhvarrosën dje nga misioni evropian, ishin rivarrosur aty në vitin 2002.

EULEX gabon sërish. Kësaj radhe me trupat e personave të vdekur. Dje nisën gërmimet në Llaushë të Skenderajt për të zbuluar eshtra të personave të zhdukur, por hetimet dhe puna e këtij misioni për këtë varrezë të dyshuar masive, nuk ishin në adresë të saktë. Aty u gjetën tre trupa por ata që u zhvarrosën dje ishin të tre personave të vrarë më 5 mars 2008 dhe të varrosur në vitin 2002 nën përkujdesjen e TMK-së. Në EULEX thonë se gërmimet i nisën pas një informate që kishin marrë nga një qytetar.
E zëdhënësja e EULEX-it, Besa Domi, thotë se gërmimet janë kryer bazuar në informatat e mara nga një banor i fshatit Llaushë në fund të vitit të kaluar.

Për gërmimet që ka kryer EULEX-i është njoftuar edhe kryetari i fshatit Llaushë, Faik Geci.

Januz Spahiu, banor i fshatit Llaushë të Skënderajt, tha se të zhvarrosurit e një dite më parë janë të nacionalitetit rom, një nënë bashkë me dy fëmijët e saj e që sipas Spahiut ishin vrarë në të njejtën ditë me familjen e komandantit legjendar Adem Jashari.

Se të zhvarrosurit një ditë më parë nga EULEX-i në fshatin Llaushë, ishin rivarrosur në tetor të vitit 2002, e konfirmon edhe drejtori i departamentit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu.

Por zëdhënësja e EULEX-it Besa Domi, insiston se informatat që kishte marrë EULEX-i përputhen me gjetjet e djeshme ani pse janë zhvarrosur vetëm tre persona e jo katër sa kishte informata ky mision.

E vërteta lidhur me këtë rast pritet të dihet shpejtë pasi që mbetjet mortore të zhvarrosura dje tashmë ndodhen në Departamentin e mjekësisë ligjore në Prishtinë ku pritet të kryhen analizat e nevojshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat