MASHT: Greva e paarsyeshme, të enjten pagat me rritje

Kosova

MASHT: Greva e paarsyeshme, të enjten pagat me rritje

Më: 28 prill 2015 Në ora: 16:35

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami iu ka bërë thirrje të gjithë drejtorëve, mësimdhënësve dhe nxënësve që nesër të vazhdojnë procesin mësimor, pasi qëtë enjten do t’i marrin komplet kompensimin për vitet e humbura.

Bajrami në një konferencë për media kërkoi nga mësimdhënësit që të shikojnë listën e pagave ditën e enjte dhe të mos veprojnë në bazë të paragjykimeve.

Bajrami: Do ta merrni komplet kompensimin

“Dëshiroj të iu siguroj edhe njëherë dhe të iu bëjë ftesë gjithë mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve që të mos humbet asnjë orë e mësimit. Të mos vendoset mbi bazën e paragjykimeve se pagat ende nuk kanë dal, pagat do të dalin të enjten dhe t’i shohin listat e pagave dhe të shohin se ata do të marrin komplet kompensimin për vitet e humbura dhe unë i ftoj të gjithë drejtorët e shkollave dhe gjithë arsimtarët, nxënësit dhe prindërit që nesër të gjithë të jenë në shkolla. Nuk ka arsye për greva. Kjo grevë është e pa objekt”, shtoi më tutje Bajrami.

Bajrami tha se me kërkesën e Ministrisë së Arsimit, Qeveria e Kosovës ka votuar vendimin për pagesën e përvojës së punës.

Bajrami: Punëtorët e arsimit do të marrin pagesën e përvojës

“Më lejoni të iu njoftoj se Ministria e Arsimit ka marrë të gjitha veprimet që të fillojë implementimi i pagesës për përvojën e punës për 0.5 për qind për gjitha vitet e përvojës së punës për të gjithë mësimdhënësit e arsimit para-universitar...dhe më lejoni të iu siguroj të gjithë mësimdhënësit e ciklit para-universitar që nga ky muaj, nga dita e enjte, ata do të marrin pagesën prej 0.5 për qind për të gjitha vitet e përvojës së punës”, tha Bajrami.

Edhe zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi tha se në këtë kalkulim është përfshirë paga e fundit, e marrë nga mësimdhënësit dhe përvoja e punës prej 0.5 për qind.

Krasniqi: Përvoja e punës do të kalkulohet në pagën e re bazë.

“Përvoja e punës do të kalkulohet në pagën e re bazë. Paga e re bazë përfshin edhe rritjen që ka ndodh 25 për qind nga viti i kaluar derisa gabimi teknik ka ndodhur për shkak që 0.3 për qindëshi që e kemi paguar deri tash, është paguar nga viti i kaluar mbi pagën jo me atë rritje por një pagë që ka qenë shumë më herët. Paga bazë kalkulohet paga e fundit që e kanë marrur punëtorët e arsimitdhe në këtë pagë bazë do të kalkulohet përvoja e punës, që është 0.5 për qind për çdo vit dhe pagat do të jenë ashtu siç e tha ministri të enjten të gjitha të rregulluara, të kalkuluara për të gjithë mësimdhënësit”, tha Krasniqi.

Ministri Bajrami po ashtu u bëri thirrje sindikatës së arsimit që të vazhdojnë partneritetin me Ministrinë e Arsimit dhe që të angazhohen për vijimin e rregullt të mësimit. Ai kërkoi që të bashkohen përpjekjet për ngritjen e cilësisë.

Në këtë konferencë po ashtu u tha se Ministria e Arsimit do të respektojë në plotni kalendarin e mësimit dhe do të kompensohet çdo orë e humbur.

Ministri po ashtu theksoi se me datën 9 maj përfundon viti shkollor për maturantët dhe duhet që të gjithë të angazhohen që këta nxënës të përgatiten në kohë për provimin e maturës. /D.Gashi/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat