Shkon në Kuvend për lexim të parë i Projektligjit për Digjitalizim

Kosova

Shkon në Kuvend për lexim të parë i Projektligjit për Digjitalizim

Më: 28 prill 2015 Në ora: 14:38

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri ka vendosur që të dërgojë për lexim të parë në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për Digjitalizimin e Transmetimeve Radiodifuzive tokësore.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, i cili ishte i pranishëm në mbledhje të Komisionit së bashku me përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës, tha se qëllimi i këtij ligji është që të rregullojë procesin kalues nga transmetimi analog në atë digjital, për çka tha se nuk pritet të ndodh në afatet e kërkuara nga ITU me 17 qershor.

“Qëllimi i këtij ligji është të rregullojë procesin kalues nga emetimi analog në atë digjital në Republikën e Kosovës, i cili sipas Konkluzioneve të Konferencës Rajonale Radiokomunikuese (RRC06), të ITU-së do të duhej të përfundonte deri më 17 qershor 2015, të përcaktojë kushtet për zbatimin e transmetimeve radiodifuzive tokësore digjitale, të përcaktojë të drejtat dhe obligimet e operatorëve të rrjeteve, operatorëve të multipleksëve dhe ofruesve të shërbimeve mediale, ndryshimet në menaxhimin e brezit radio frekuencor, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin efikas të brezit radio frekuencor, i cili në pajtim me aktet juridike nacionale dhe ndërkombëtare është i paraparë për emetimin e programeve radiotelevizive përmes opsioneve teknologjike në dispozicion”, theksoi Stavileci.

Sipas Stavilecit, pas kësaj date ekziston rreziku që për shkak të vonesave të tjera, e po ashtu në rast të moskoordinimit të aktiviteteve me shtetet fqinje, Kosova të përballet me probleme të shumta me pranimin e sinjaleve nga shtetet fqinj, dhe shfrytëzimin e kanaleve televizive dhe vetë cilësia e këtyre transmetimeve mund të vihet në pikëpyetje.

Ndërkaq, Andan Merovci, kryetar i Bordit të Komisionit të Pavarur për Media, tha se nuk ka vërejtje në aspektin politik të këtij projektligji , por ka në aspektin teknik, pasi që, sipas tij, janë disa hallka të projektligji t dhe strategjisë të cilat duhet të përshtaten mes vete.

“Çështja numër një këtu tani për të qenë më konkretë sepse ligjit parasheh procedurën e tenderimit sepse kemi ligjin për prokurim. Janë të zbatueshme, por këtu bazuar në strategji ne kemi improvizuar një dyfazësh dhe krejt kjo vjen pikërisht për shkak të mosarritjes së datës 17 qershor që siç tha ministri ka qenë një parashikim. Nuk po flas për politikë, megjithatë kjo datë nuk është fundi i botës, mirëpo për ne ishte dashur që të jetë datë qe ne edhe pse teorikisht themi që nuk mund ta arrijmë, bile së paku të tentojmë dhe të bëjmë maksimumin”, tha Merovci.

Kryetari i Komisionit parlamentar Muhamet Mustafa tha se me këtë ligj nuk i janë hequr dilemat dhe paqartësitë lidhur me hapësirat që parashihen t’i kenë transmetuesit rajonalë, dhe për atë se sa hapësirë do t’u mbetet atyre nga frekuencat që tashmë kanë katër transmetuesit nacionalë.

“Këtu kemi televizionin publik RTK që i rezervojmë, kemi dy televizione nacionale, historike siç i kemi quajt në këtë ligj, do t’i kemi operatorët radiotelevizivë rajonalë... Sa është kjo hapësira që i jep përafërsisht, dikush a mundet të na thotë, në qoftë se i kemi rezervuar RTK, KTV, 21, sa mbetet hapësira për të tjerët dhe çfarë hapësire do të jetë? Kjo mund të ketë pretendime rajonale, nacionale apo lokale, apo cilat janë këto pretendime që ne duhet t’i kemi më të qarta”, pyeti Mustafa.

Ndryshe siç u thanë në mbledhjen e këtij Komisioni, edhe me miratimin e ligjit para datës 17 qershor nga ana e deputetëve , gjasa që transmetuesit radiodifuzivë të kalojnë nga transmetimi analog në atë digjital gjatë këtij viti janë minimale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat