SBASHK-u këmbëngulës, greva nis nesër

Kosova

SBASHK-u këmbëngulës, greva nis nesër

Më: 28 prill 2015 Në ora: 14:06

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka konfirmuar edhe një herë se nesër do të nisë greva në arsim.

“Me qëllim që ecuria e grevës të shkojë sipas planifikimit të Këshillit Drejtues të SBASHK-ut dhe me qëllim që informimi të jetë sa më i saktë e me kohë, si për grevistët ashtu edhe për nxënësit dhe prindërit, përmes medieve ju drejtohemi opinionit edhe një herë se greva e përgjithshme në Arsimin parauniversitar dhe në Universitet fillon nesër me datën 29 prill në orën 8 e deri në 12 për arsimin Parauniversitar , ndërsa në universitet nga ora 8 e deri në orën 16”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Gjatë kohës së grevës, sipas këtij njoftimi, të gjithë të punësuarit duhet të jenë në vendet e tyre të punës.

“Greva do të zgjas për aq kohë sa Qeveria nuk i përmirëson gabimet e lëshuara në listat e pagave për muajin prill siç janë: nuk është marrë parasysh baza e pagës aktuale, nuk janë përfshirë të gjithë të punësuarit në arsim në pagesën e përvojës së punës si dhe nuk është llogaritur përvoja e punës nga viti 2008 e deri në vitin 2015. Këtu nuk duhen harruar edhe obligimet tjera të Qeverisë që dalin nga Kontrata Kolektive , e nënshkruar mes SBASHK-ut dhe MASHT-it”, thuhet tutje në kumtesën e SBASHK-ut.

SBASHK-u fton anëtarësinë që lidhur me grevën dhe ecurinë e saj, të bazohen vetëm në deklaratat publike të kësaj sindikate. “Kërkojmë nga institucionet shtetërore qendrore e lokale që të mos bëjnë presion në anëtarësinë rreth grevës , por të ulen e të përmbushin obligimet e tyre karshi Kontratës Kolektive në mënyrë që greva të jetë sa më e shkurtër.

Nga nxënësit e prindërit kërkojmë mirëkuptim dhe përkrahje për realizimin e të drejtave tona sipas dokumenteve të nënshkruara mes SBASHK-ut dhe MASHT-it”, thuhet më tej në kumtesë.

SBASHK u kërkon ndjesë nxënësve për humbjen e mësimit, “e në veçanti maturantëve, që tani më janë në përfundim të vitit shkollor e aq më shumë duke pasur parasysh se orët e humbura nuk do të kompensohen. Për këtë fajtor i vetëm janë institucionet e Kosovës të cilat nuk zbatojnë dokumentet dhe vendimet e veta të aprovuara”, përfundon kumtesa e SBASHK-ut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat