SBASHK-u vendos për grevë, Ministria e Arsimit kundër

Kosova

SBASHK-u vendos për grevë, Ministria e Arsimit kundër

Më: 27 prill 2015 Në ora: 20:48

Përfaqësuesit e SBASHK­ut, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme, kanë paralajmëruar se punëtorët e arsimit nga e mërkura do të futen në grevë.

Kjo pasi, siç u shprehën, po ndihen të tradhtuar nga qeveria. Ndërkaq, vendimin e sotëm të SBASHK­ut, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit e cilësojnë si të habitshëm. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, ka paralajmëruar grevë të përgjithshme nga dita e mërkurë e kësaj jave, me arsyetimin se përfshirja e 0.5% të përvojës së punës për mësimdhënës është realizuar mbi pagën bazë prej 216 eurove, e jo siç është në të vërtetë 405 euro në arsimin fillor dhe 442 euro në arsimin e mesëm.

Vendimi u mor në mbledhjen e jashtëzakonshme të ditës së sotme, të organizuar nga Këshillat Drejtuese Komunale të kësaj sindikate.

"Fatkeqësisht edhe pse ishim marrë vesh të premten e kaluar që listat të mos lëshohen pa u bërë 0.5 për qind në pagat bazë që janë të tashme. Qeveria është ngutur edhe pikërisht ditën kur kemi pas takim i kanë lëshuar listat. Kjo ka krijuar një situatë akoma më të acaruar dhe pikërisht po them që unë isha ai i pari që priva në marrjen e vendimeve ngase edhe tereni edhe mësimdhënësit kanë filluar të mendojnë se ne jemi pjesë e lojës, ne nuk jemi pjesë e lojës, nesër shkollat do të përgatitien dhe greva do të fillojë të mërkurën”, ka theksuar Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut.

Ndërkaq, vendimin e sotëm të SBASHK-­ut, Këshilltari në Ministrinë e Arsimit, Azem Guri, e cilëson të habitshëm. Sipas tij, në takimin e përbashkët të ditës së sotme mes sindikalistëve të SBASHK­ut, Ministrisë së Arsimit dhe atyre të Financave, janë pajtuar që listat e pagave të përmirësohen. Gjë për të cilën, sipas Gurit, ishin pajtuar edhe sindikalistët.

“Ky gabim i këtyre listave ka filluar që sot të korigjohet dhe këto lista deri të enjten do të kryhen dhe do të kenë 0.5 për qind ashtu siç është marrë vendimi i Qeverisë, prandaj nuk ka arsyeje të mbahet grevë. Në takimin e përbashkët që kishim me zv. Ministrinë e Fianancave me kryetarin e SBASHK­ut dhe me kryesinë e SHASHK-­ut dhe për asnjë minutë nuk kanë qenë të mendimit të hyjnë në grevë dhe kjo për neve është e pa pranueshme se ne po e kryejmë punën tonë, 0.5 për qind po zbatohet”, ka theksuar për RTK-në, Azem Guri, këshilltar në Ministrinë e Arsimit.
Drejtues të Ministrisë së Arsimit u kanë bërë thirrje mësimdhënësve dhe nxënësve që të mërkurën më 29 prill të jenë nëpër shkolla, pasi thonë se nuk ka arsyeje për grevë dhe në këtë formë të dëmtohet procesi mësimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat