Kryeministri Mustafa priti kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti

Kosova

Kryeministri Mustafa priti kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti

Më: 27 prill 2015 Në ora: 17:59

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoni, Ali Ahmeti.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe z.Ahmeti biseduan për proceset aktuale në Kosovë dhe në Maqedoni dhe për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

Kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin që po arrihet në Kosovë, duke theksuar angazhimin e posaçëm të Qeverisë së Kosovës në proceset integruese evropiane, dhe përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit me vendet e rajonit.

Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa vlerësoi rëndësinë e organizmit të mbledhjes së përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë, përgatitjet për të cilën janë në fazën finale dhe që pritet të mbahet në muajin maj.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, vlerësoi progresin që po arrihet në Republikën e Kosovës, në të gjitha fushat.

Ahmeti po ashtu shprehu përkushtimin e tij për të ndihmuar në fuqizimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve ndërmjet dy shteteve, duke veçuar në këtë drejtim edhe organizmin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat