Kuçi: Dokumentet për Gjykatën Speciale i solli BE-ja të gatshme

Kosova

Kuçi: Dokumentet për Gjykatën Speciale i solli BE-ja të gatshme

Më: 27 prill 2015 Në ora: 15:19

Dokumentet për themelimin e Gjykatës Speciale, janë hartuar nga Bashkimi Evropian dhe u janë dorëzuar presidentes, kryeministrit, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë të gatshme pa mundur që të ndërhyjnë dhe të paraqesin vërejtjet e tyre. Derisa, marrëveshja për drejtësi është vlerësuar se është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Kështu tha Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi në raportim para Komisionit për Integrime Evropiane. Por, me këto nuk u pajtuan deputetët të cilët thanë se marrëveshja për drejtësi dhe Gjykata Speciale shkelin Kushtetutën e Kosovës.

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi tha se të gjitha dokumentet për themelimin e Gjykatës Speciale janë hartuar nga Bashkimi Evropian dhe të gatshme iu kanë shkuar krerëve të institucioneve të Kosovës.

Kuçi: Dokumentet për Gjykatën Speciale na erdhën të gatshme

“Unë po e them që dokumentet për Gjykatën Speciale, te presidentja, te kryeministri dhe te unë kanë ardhur të hartuara nga BE-ja. Asnjë prej neve nuk ka pasur fuqi, kemi mundur ta bëjmë ndonjë vërejtje. E dyta presidentja e Kosovës ka themeluar një grup politik ku është edhe kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri dhe një grup teknik që jam unë, ministri Bajrami, ministri Demolli, kryetari i Gjykatës Supreme, kryetari i KGJK-së dhe ish kryeprokurori i shtetit. Këta janë njerëzit që kanë dhënë vërejtje, por po them asnjë pikë nuk ka lëvizur pa ardhur në Kuvend dhe pa u votuar. Kuvendi i Kosovës është ai që merr vendime me dy të tretat. Cilindo vendim që do ta merr Kuvendi unë do ta aplaudojë”, tha Kuçi.

Ai me tutje shtoi se ata si grup teknik, kanë dhënë 18 vërejtje me shkrim dhe ia ka dërguar Komisionit për Legjislacion, por sipas tij, vendimmarrja është politike, kryetarëve të partive dhe Kuvendit.

Por, deputetët kërkuan sqarime nga ministri Kuçi, arsyen pse janë pranuar marrëveshja për drejtësi dhe Gjykata Speciale meqë shkelin Kushtetutën e Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes Ilir Deda tha se edhe marrëveshja për Drejtësi edhe Gjykata Speciale shkelin Kushtetutën.

Deda: Marrëveshja për Drejtësi dhe Gjykata Speciale shkelin Kushtetutën

“Marrëveshja për Drejtësi e shkel Kushtetutën e Kosovës dhe ju e keni përgjegjësi ta respektoni atë Kushtetutë siç e kam edhe unë përgjegjësi ta respektoj. E jo të thoni kjo është dialog dhe t’i e dinë që aty bëhet kompromis, jo valla, nuk shkon kështu, a pe ndërrojmë krejt Kushtetutën. Qysh keni mundur me një rajon ta ndani strukturën etnike të punësuarve dhe gjyqtarëve e prokurorëve, 55-45. Shembull në rajonin e Prizrenit nuk është e ndarë, 80 përqind shqiptarë 20 boshnjak, do të thotë është bërë vetëm në veri, pse keni pranuar, jo çka ka dashur Brukseli. Sa i përket Gjykatës Speciale, njëjtë si mundet të pranohet, së pari kjo është e papranueshme, por hajde në fushëveprimin e juaj, qysh keni mundur ta pranoni që Gjykata të lidh marrëveshje ndërkombëtare me vendet e tjera dhe Kuvendi i Kosovës as mos me ratifiku, që është shkelje e Kushtetutës së Kosovës”, tha Deda.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani tha se është shqetësuese që në draftligjin që kanë parë janë edhe terme si gjenocid që përdorën, derisa dihet se me çfarë rastesh do të merret kjo Gjykatë.

Osmani: Fjala gjenocid përmendet në një draftligj për Gjykatën Speciale që ne kemi parë

“Siç e dini fjala gjenocid përmendet në një draftligj që ne kemi parë dhe duke e ditur ,me cilat krime do të merret kjo Gjykatë, mendoj që kjo do duhej të ishte kërkesa më esenciale e delegacionit teknik të Kosovës. Pra, nuk do duhej as të aludohej se ka mundur të ketë gjenocid, po flas për ato krime, sepse ne e dimë që edhe qëndrimi zyrtarë i Kosovës është që aparatura serbe ka kryer gjenocid në Kosovë, mirëpo kjo gjykatë do të merret me krime të tjera”, tha Osmani.

Por, ministri Hajredin Kuçi duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve tha se marrëveshja për drejtësinë nuk është jashtë ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Derisa ka ftuar deputetët që ta dërgojnë në organin kompetent dhe nëse vërtetohet se shkelet akti me i lartë juridik, atëherë mund ta kthejnë atë marrëveshje.

Kuçi: Marrëveshja s’e shkel Kushtetutën

“Marrëveshja për drejtësi është kompromis politik dhe gjithë ne e dimë. Marrëveshja për drejtësi jam i bindur, nenet ku thonë është brenda ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës nuk kanë dal jashtë saj. Dy gjëra, ne kemi ushtruar sovranitetin, ata i kanë fituar numrat, kjo ka qenë, dhe ajo a është shkel Kushtetua apo jo, unë ju them perceptimet në politikë i kemi të ndryshme. Unë iu ftoj ta dërgojmë në organin kompetentë, që është shkel Kushtetuta e kthejmë mbrapa. Por unë jam i bindur se kur thuhet të bëhet zgjidhje sipas ligjeve dhe Kushtetutës, atëherë është brenda saj”, tha Kuçi.

Ministri Kuçi gjatë raportimit para deputetëve ka folur edhe për luftimin e korrupsionit, duke thënë se në Kosovë korrupsioni luftohet nga shtatë institucione dhe askush nuk merr përgjegjësi kryesore për këtë. Sipas tij, këtë dukuri duhet ta luftojë vetëm një institucion dhe të jetë një adresë e duhur për këtë.

Për sistemin e drejtësisë foli edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti i cili tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i keq dhe është ndërtuar në mënyrë të gabuar që prej pasluftës. /B. Syla/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat