Kosova ta akuzoj Serbinë për të gjitha llojet e krimit të bëra ndaj shqiptarëve

Kosova

Kosova ta akuzoj Serbinë për të gjitha llojet e krimit të bëra ndaj shqiptarëve

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 27 prill 2015 Në ora: 14:33

Sot është Dita e Personave të Pagjetur të Luftës që sipas shifrave zyrtare, janë mbi 1,600 persona nga Kosova, fati i të cilëve mbetet i pazgjidhur.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se për familjarët, por edhe për Kosovën, janë shumë vite të ditëve të ankthit dhe të pritjes për më të dashurit e tyre.

Kryeministri Mustafa thotë se ‘Serbia duhet të jap përgjigje për zhdukjen e njerëzve tanë, për krimet monstruoze që forcat ushtarake e paramilitare të saj i kryen në Kosovë’. Ata që bënë krime, sipas Mustafës, duhet të dalin para drejtësisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të shfrytëzojë të gjitha institucionet ndërkombëtare për të kërkuar zbardhjen e të pagjeturve, kthimin e tyre dhe dorën e drejtësisë ndaj kriminelëve”, shkruan Mustafa në Facebook.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me rastin e Ditës së të Pagjeturve, ka thënë se nuk ka partneritet me Serbinë pa u kthyer të pagjeturit kosovarë. “Mjaft ka qenë kjo padrejtësi për 16 vite. Partneriteti dhe fqinjësia e mirë mund të arrihet vetëm atëherë kur trupat e pagjetur të kthehen në vendin e vet”, ka thënë ai.

Veseli ka shtuar se me këtë përmendore duan të përçojnë mesazhin human tek ata që i mbajnë këta trupa të pagjetur. “Kjo është një ditë po ashtu e rëndë për të gjithë qytetarët e Kosovës, e sidomos për ata familjarë që ende nuk dijnë se ku i kanë trupat anëtarët e tyre të familjes. Ka qenë një javë përmes së cilës kemi dashur që si institucion të përçojmë një mesazh human dhe të paqes te këta njerëz”, ka thënë ai pas zbulimit të përmendores para Kuvendit të Kosovës.

Përfaqësuesi i familjarëve të pagjetur, Bajram Qerkinaj, tha se liria për familjet e të personave të pagjetur nuk është kuptimplotë sepse ata vazhdojnë të jetojnë me dhimbje e pritje, dhe kjo duhet të jetë udhërrëfyes për të gjithë drejtuesit e institucioneve tona.

Ai tha se tha si familjar dhe qytetar i Kosovës ka emocione të përziera pasi që është shumë rënd të flas në shënimin e datave të tragjedive të popullit tonë ku shënohet vrasja e mira më të dashurve tonë. “Zhdukja masive e njerëzve na ka përcjellë me gjeneratë pas gjenerate në Kosovë dhe lutemi që kurrë mos të ketë luftë më. Na duhet përkrahje nga ju deputetë që jo vetëm të flisni për politikë por të bëni presion të ndërkombëtarët në mënyrë që Serbia të tregojë për fatin e të dashurve tonë”, ka thënë ai.

Ai në emër të familjeve të të pagjeturve ka drejtuar disa kërkesa për institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare. "Kërkojmë përshpejtimin e gjetjen e të pagjeturve, të veprojnë mekanizmat e drejtësisë dhe kryerësit e krimit serb të dalin para drejtësisë, në dialog të përfshihet çështja e të pagjeturve, përmirësimi e amendamenteve për personat e pagjetur, të përmbushet premtimi me shkrim për ngritjen e Memorialit për të zhdukur, të fuqizohet komisioni qeveritar për persona të pagjetur”, ka thënë ndër tjerash Qerkinaj.

Drejtuesi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se ka ardhur koha për adresim konkret të përgjegjësive lidhur me këtë çështje. “Të pagjeturit duhet të jenë kusht për Serbinë, që të shkojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve, kulmi i të cilave do të ishte njohja e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi, politikanët vetëm e kanë si justifikim, si retorikë, përkujtimin e të pagjeturve, në ndërkohë nuk janë asnjëherë duke kërkuar nga Serbia specifikisht që pa kurrfarë kushti t’i ktheje të pagjeturit sepse kjo tek e fundit është edhe çështje elementare humanitare. Në ndërkohë Serbia gjithmonë e ka përdorur si çështje politike. Për çdo 10-15 të pagjetur që ka kthyer ndonjëherë ka kërkuar benificione, privilegje, dhe e ka kthyer në çështje politike një aspekt që është puro humanitar”, tha Konjufca.

Ai më tej theksoi se është e papranueshme që në seancë të mos ketë diskutim, siç iu ndalua fjala deputetëve në seancën e sotme për të pagjeturit, sepse duhet që deputetët t’i thërrasin këta qeveritarë në përgjegjësi. “Në vitin 2011 na kanë thënë që po shkojnë të negociojnë me Serbinë për t’i kthyer të pagjeturit. Të pagjeturit nuk janë kthyer, por në vend të tyre na kanë ardhur: marrëveshja e 19 prillit me Serbinë; ndarja etnike e drejtësisë; ndarja e policisë; fondi i veçantë për veriun e Kosovës; e kështu me radhë”, u shpreh Konjufca.

Analisti politik, Fadil Lepaja, thekson se, pavarësisht se nga cila anë e luftës e shikon, të pagjeturit nga lufta dhe (pas)lufta shqiptaro serbe, në Kosovë, është plagë e hapur që prodhon energji estruktive dhe jostabilitet në marrëdhëniet në mes dy popujve.

“Krimet serbe në Kosovë, janë dëshmuar dhe heshtja e shtetit serb përballë kërkesave të natyrshme të familjarëve për gjetjen dhe kthimin e trupave të të pagjeturve, është jonjerëzore, jocivilizuese dhe krim i ri, krim në vete.
Deklarata e kryeministrit Mustafa në këtë drejtim nuk është kërcenim, por është një perspektivë reale e përballjen e zyrtarëve aktual serb me krimet e paraardhësve të tyre”, thotë Lepaja.

Ai thekson se, njëkohësisht edhe shteti i Kosovës duhet herët apo vonë të përballet me të kaluarën, edhe pse atëherë institucionet kosovare nuk ekzistonin si të tilla, por gjithsesi dikush do të merret me të zhdukurit pavarësisht se ajo ishte një kohë kur ligjshmëria dhe siguria në Kosove nuk ishin krejt qartë të definuara.

“Luftërat janë gjendje e jashtëzakonshme ku zakonisht ligji vështirë funksionon, apo fare nuk funksionon, por sidoqoftë, me norma ndërkombëtare janë të rregulluara çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e civilëve në luftë dhe shkelja e këtyre të drejtave paraqet krim të rendë dhe janë të parapara dënime serioze.
Civilet janë qytetarë të botës, mbrohen me norma ndërkombëtare dhe nuk konsiderohen palë në luftim, palë e asnjërës anë”, thotë njohësi i çështjeve politike Fadil Lepaja për gazetën “Bota sot”.

Politologu Albinot Maloku, thekson se Dita e Personave të Pagjetur në Kosovë medoemos duhet të jetë ditë e cila ia kujton shtetit të Kosovës obligimin që e ka ndaj atyre personave fati i të cilëve ende nuk dihet.

“Shteti i Kosovës me gjithë kapacitet që ka duhet ta adresoj çështjen e personave të pagjetur si prioritet në vazhdimësi dhe kjo gjë kërkon angazhim maksimal. Nuk mund të them se mund të jemi të kënaqur me angazhimin institucional shtetëror të Kosovës për këtë çështje, pavarësisht përpjekjeve që janë bërë. Serbia ka edhe shumë për t’ju përgjigjur shqiptarëve e Kosovës dhe kjo gjë duhet të jetë angazhimi i vendit”, thotë Maloku.

Politologu thekson se, që të gjitha krimet e ushtruara nga Serbia ndaj Kosovës kanë emër e definicion se çka janë ato, si janë bërë ato e si po vazhdojnë të bëhen ato.
“Gjithsesi, ti kërkohet përgjegjësi Serbisë për personat e pagjetur të Kosovës është obligim shtetëror e njerëzor i gjithsecilit, pra edhe i kryeministrit Isa Mustafa, por që maksimalisht duhet punuar për ta bërë sa më të shpeshtë kërkimin e përgjegjësisë. Nëse jo sot, Kosova me patjetër duhet të përgatis vetën e saj që në momentin e parë ta akuzoj Serbinë e Beogradin për të gjitha llojet e krimit të bëra ndaj shqiptarëve”, thotë Albinot Maloku për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat