Konjufca: Të pagjeturit kusht për Serbinë

Kosova

Konjufca: Të pagjeturit kusht për Serbinë

Më: 27 prill 2015 Në ora: 14:11

Sot në Ditën e të Pagjeturve, drejtuesi i Grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca, tha se ka ardhur koha për adresim konkret të përgjegjësive lidhur me këtë çështje.

“Të pagjeturit duhet të jenë kusht për Serbinë, që të shkojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve, kulmi i të cilave do të ishte njohja e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi, politikanët vetëm e kanë si justifikim, si retorikë, përkujtimin e të pagjeturve, në ndërkohë nuk janë asnjëherë duke kërkuar nga Serbia specifikisht që pa kurrfarë kushti t’i ktheje të pagjeturit sepse kjo tek e fundit është edhe çështje elementare humanitare. Në ndërkohë Serbia gjithmonë e ka përdorur si çështje politike. Për çdo 10-15 të pagjetur që ka kthyer ndonjëherë ka kërkuar benificione, privilegje, dhe e ka kthyer në çështje politike një aspekt që është puro humanitar”, tha Konjufca.
Ai më tej theksoi se është e papranueshme që në seancë të mos ketë diskutim, siç iu ndalua fjala deputetëve në seancën e sotme për të pagjeturit, sepse duhet që deputetët t’i thërrasin këta qeveritarë në përgjegjësi. “Në vitin 2011 na kanë thënë që po shkojnë të negociojnë me Serbinë për t’i kthyer të pagjeturit. Të pagjeturit nuk janë kthyer, por në vend të tyre na kanë ardhur: marrëveshja e 19 prillit me Serbinë; ndarja etnike e drejtësisë; ndarja e policisë; fondi i veçantë për veriun e Kosovës; e kështu me radhë”, u shpreh Konjufca./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat