22 milion euro, donacion i Sheikës Fatima bint Mubarak për Spitalin e ri Pedriatik-Kirurgjik

Ekonomi

22 milion euro, donacion i Sheikës Fatima bint Mubarak për Spitalin e ri Pedriatik-Kirurgjik

Më: 27 prill 2015 Në ora: 10:15

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga dhe përfaqësuesi i Shkëlqesisë së Saj Sheikës Fatima bint Mubarak të Emirateve të Bashkuara Arabe, Shkelqësia e Tij, Saeed Eid Al Ghafli, nënshkruan sot në Abu Dhabi marrëveshjen për një donacion prej mbi 22 milion euro për ndërtimin e një Spitali të ri Pedriatik-Kirurgjik në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Në ceremoninë e nënshkrimit të pranishëm ishin edhe Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, zotëri Imet Rrahmani dhe Drejtoresha e Autoritetit Shëndetësor të Abu Dhabit, Shkelqësia e Saj, Maha Taysir Barakat.

Presidentja Jahjaga theksoi se ky spital tejet i nevojshëm për shëndetin e fëmijëve në Kosovë do të na ndihmojë që të përmirësojmë përkujdesjen për fëmijët e Kosovës. Presidentja falënderoi në emër të popullit të Kosovës Lartmadhërinë e Saj për këtë ndihmë zemërgjerë për fëmijët e Kosovës duke u zotuar që kjo klinikë do të mbaj me krenari emrin e saj.
Klinika e re do të fillojë të ndërtohet gjatë verës së këtij viti dhe pritet që projekti i tërësishëm i spitalit të përfundojë brenda 1 viti. Projekti përfshin specializime në shërbime shëndetësore të porsalindurve, ortopedi, neurologji, urologji, endokrinologji, kardiologji, onkologji, hematologji, dhe mjekësi emergjente.

Presidentja Jahjaga po qëndron për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjatë ditës së djeshme, Presidentja arriti marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe EBA, që shënon një faqe të re dhe shumë të rëndësishme të marrëdhënieve bilaterale, në interes të ndërsjellë në fusha të ndryshme, transmeton “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat