Ndërtimtarët kërkojnë plotësimin e kërkesave pa kushte

Kosova

Ndërtimtarët kërkojnë plotësimin e kërkesave pa kushte

Më: 27 prill 2015 Në ora: 09:48

“Shoqata e Ndërmarrjeve Ndërtimore dhe e Prodhuesve të Materialeve Ndërtimore të Kosovës, ka analizuar protestën e saj të organizuar me 23 prill dhe do të vazhdojë me ngulm të kërkoj plotësimin e kërkesave të tyre, duke përdorur edhe masa të tjera ligjore e demokratike”, bëhet e ditur në një komunikatë të lëshuar për media.

Ata kanë thënë se kërkojnë pa kushte t`iu plotësohen kërkesat e ngritura ngritura edhe gjatë kësaj proteste, e cila erdhi si pasojë e dështimit të shumë angazhimeve për përmirësimin e situatës nga ndërtuesit në Komunën e Prishtinës.
“Duke qenë se kjo e fundit injoroi në vazhdimësi kërkesat tona, ishim të detyruar të zgjedhim rrugën e protestës. Ne ua bëjmë me dije zyrtarëve komunal, se kësisoj do të vazhdojmë dhe nuk do të lodhemi deri në plotësimin e kërkesave tonat, si kërkesa të drejta, parimore e profesionale”, thuhet në komunikatë.

Ndërtimtarët kanë reaguar edhe bndaj nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiut, i cili sipas tyre, gabon kur i quan të gjithë ndërtimtarët si mafi e ndërtimit.

“Siç dihet në protestë ishin pjesëmarrës edhe ndërmarrjet më serioze të vendit të cilat në asnjë rast të vetëm nuk kanë bërë ndërtime pa leje, prandaj ofendimet e këtilla janë një papërgjegjshmëri dhe mungesë respekti. Vrazhdësia e tij dhe qasja arrogante, paraqet në vete, arrogancën e Komunës së Prishtinës karshi kërkesave të ndërtimtarëve dhe vetë nevojave të qytetarëve të Prishtinës. Shoqata dënon gjuhën joinstitucionale të përdorur nga z. Sejdiu dhe është e bindur se etiketimet që ai i bën për ndërtimtarët, nuk e ndihmojnë kapërcimin e problemeve”, kanë shkruar ata.

“Zyrtarët komunal duhet ta kenë të qartë se ata janë periodik në pozitat e tyre, ndërsa ne ndërtuesit do të jemi këtu edhe pasi ata të kenë ikur. Andaj, jemi të bindur, sikur edhe kemi dëshmuar deri më tash, duke u ofruar dhe treguar gatishmëri të plotë për bashkëpunim me komunën, se as vet këta zyrtarë nuk janë më të interesuar se ne ndërtuesit, që në Prishtinë të ketë rregull, kushte dhe ndërtim sa më cilësor”, vazhdon komunikata.

Ndërtimtarët kanë kërkuar reflektim të arsyeshëm të zyrtarëve komunal, respektim të ligjit dhe bashkëpunim të meritueshëm me shoqatën si partnere të sinqertë, në të kundërtën do të vazhdojmë me masa të tjera ligjore e demokratike deri në plotësimin e kërkesave tona legjitime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat