Bajram Gecaj, Milaim Zekës: Kush janë vrasësit e Malokut, Krasniqit, Zemës, Mustafës...?

Kosova

Bajram Gecaj, Milaim Zekës: Kush janë vrasësit e Malokut, Krasniqit, Zemës, Mustafës...?

Më: 27 prill 2015 Në ora: 08:32

Bajram Gecaj, ka reaguar pas postimit të gazetarit Milaim Zeka, i cili ka kërkuar që nga z. Gecaj të prononcohet për të bëmat e Bujar Bukoshit kundër Presidentit Ibrahim Rugova.

Në një postim në facebook, Gecaj thekson se nuk duhet me pas guxim të madh për me folë për të bëmat e Bukoshit, edhe nëse ato janë të vërteta.

Milaim Zeka, ka theksuar se Bukoshi nuk ia ka paguar telefonatat Rugovës, etiketime të ndryshme si dhe disa bileta e pagesa të hoteleve të cilat nuk ia ka bërë Rugovës.

Gecaj, në kundërpërgjigjen e tij kundër Zekës, thotë se “guxim i nevojitet njerëzve të cilët njohin e dinë për njerëz të cilët ishin të involvuar në krime të rënda kundër patriotëve e institucionalistëve, siç ishin Enver Maloku, Ahmet Krasniqi, Tahir Zemaj, Xhemajl Mustafa, Isuf Haklaj, Sebahate Tolaj, e shumë e shumë të tjerë”.

“Në një postim të tijin, Milaim Zeka paska apostrofuar emrin tim duke kërkuar që unë (dhe disa të tjerë) të marrim “guximin” e të flasim hapur për “të bëmat” e Bujar Bukoshit kundër Ibrahim Rugovës. Ai në këto “krime” të Bujar Bukoshit liston telefonata të papaguara, disa etiketime të cilat gjoja i paskësha bërë Bukoshi ndaj Rugovës, disa bileta e pagesa hotelesh të papaguara, si dhe ndikimin e tij në ftohjen e marrëdhënieve në mes Rugovës e Berishës. E unë i them Milaim Zekës se nuk nevojitet ndonjë guxim i madh të deklarohesh për gjëra të tilla, edhe nëse të gjitha këto janë të vërteta.

“Guxim i nevojitet njerëzve të cilët njohin e dinë për njerëz të cilët ishin të involvuar në krime të rënda kundër patriotëve e institucionalistëve, siç ishin Enver Maloku, Ahmet Krasniqi, Tahir Zemaj, Xhemajl Mustafa, Isuf Haklaj, Sebahate Tolaj, e shumë e shumë të tjerë. Milaim Zeka do të duhej t’i thërriste këta njerëz që të marrin guximin e të flasin, sepse familjarët e këtyre të vrarëve, si dhe populli i gjerë tani e gjashtëmbëdhjetë vite presin rezultate në ndriçimin e këtyre akteve barbare e kriminale.

Nëse Milaim Zeka i din emrat e atyre të cilët janë në dijeni për “të bëmat” e Bujar Bukoshit, ndoshta ka mundësi të na listoi edhe ndonjë emër i cili do të mund të merrte guximin të na flasë për ata kriminel të cilët urdhëruan dhe/ose ekzekutuan gjithë këta patriot shqiptarë....Ndërsa unë nuk kam fare dyshim se njëri prej këtyre individëve do të mund të ishte edhe Klosi “veterani””, ka shkruar Bajram Gecaj, transmeton gazeta "Bota sot".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat