​Mustafa: Festat e komuniteteve janë pasuri e Kosovës

Kosova

​Mustafa: Festat e komuniteteve janë pasuri e Kosovës

Më: 26 prill 2015 Në ora: 21:57

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në festimin e Ditës së Komunitetit Turk, të organizuar në qytetin e Prizrenit.

Para të pranishmëve në këtë tubim, Mustafa tha se kjo festë e komunitetit turk shënohet si festë e Kosovës, duke vlerësuar angazhimet e përbashkëta të komuniteteve, në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Duke folur për qasjen e komunitetit turk në Kosovë si një shembull të mirë të përkushtimit për shtetin e Kosovës, ai theksoi angazhimin e përbashkët për ndërtimin e një shoqërie demokratike, me synim anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Kryeministri Isa Mustafa po ashtu e falënderoi zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, i pranishëm në këtë pritje, për përkrahjen që Turqia ka dhënë për Republikën e Kosovës.

Po ashtu, kryeministri Mustafa theksoi se festat e komuniteteve janë pasuri e Kosovës pasi që tregojnë veçorinë e Kosovës për multikulturalizmin ndërfetar e ndëretnik në Republikën e Kosovës dhe se komuniteti turk është ura më e mirë e bashkëpunimit me Turqinë.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përkrahur komunitetin turk dhe të gjitha komunitetet e tjera në Republikën e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat