Komuna e Prizrenit shfuqizon lejen për ndërtimin e bibliotekës

Kosova

Komuna e Prizrenit shfuqizon lejen për ndërtimin e bibliotekës

Më: 26 prill 2015 Në ora: 20:42

Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor e komunës së Prizrenit ka shfuqizuar lejen ndërtimore të bibliotekës komunale në rrugën “Suzi Qelebi” në Prizren, me arsyetimin se ka disa mangësi procedurale.
“Revokohet-shfuqizohet Leja Ndërtimore me të cilën i është lejuar Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport në Prizren ndërtimi i Bibliotekës komunale në rrugën “Suzi Qelebi”, ngastra kadastrale nr. 2858, e cila udhëhiqet si pasuri shoqërore”, thuhet në aktvendimin e komunës së Prizrenit.
KALLXO.com ka raportuar se Komuna e Prizrenit ka vënë gurthemelin e kësaj biblioteke pavarësisht se Ministria e Kulturës nuk e ka dhënë miratimin përfundimtar.
Ndërkaq, zëdhënësi i komunës së Prizrenit, Ymer Berisha u shpreh se Ministria e Kulturës ka kërkuar që të shfuqizohet leja e ndërtimit të kësaj biblioteke, dhe komuna e ka marrë një vendim të tillë.
“Me kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Drejtoria e Urbanizmit ka marrë vendim që ta shfuqizojë lejen për ndërtimin e bibliotekës së Prizrenit”, tha Berisha për KALLXO.com.
E, Drejtoresha e Departamentit për Trashëgimi Kulturore në Ministrin e Kulturës, Vjollca Aliu tha se një gjë e tillë ka ndodhur meqë Ministria e Kulturës ka kërkuar që të rishikohet dhe plotësohet projekti për ndërtimin e kësaj biblioteke.
“Kemi kërkuar të rishikohet dhe plotësohet projekti konform rekomandimeve të komisionit. Kjo për shkak se në afërsi është ndërtesa e shkollës së vjetër Ruzhdije e cila ka status të mbrojtur”, shtoi Aliu.
Organizata Jo-Qeveritare “Emancipimi Civil Ma Ndryshe”, në kuadër të projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm” ka ndjekur zhvillimet e projektit të kësaj biblioteke.
Koordinatori i këtij projektit, Valon Xhabali, e vlerësoi “me vend” vendimin e komunës. Ai tha se shpreson që mos të jepet prapë leje për të njëjtin lokacionit për t’u ndërtuar kjo bibliotekë.
“Vlerësojmë se është një veprim i mirë, është një praktikë e mirë për t’u ndjekur edhe nga institucionet tjera edhe ndoshta kanë marrë që duhet me i shfrytëzuar të gjitha mundësit ligjore e mandej të punojnë”, deklaroi Xhabali.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat